FFK beson se kampionati do të rifillojë muajin e ardhshëm, megithatë klubet dyshojnë për këtë

FFK beson se kampionati do të rifillojë muajin e ardhshëm, megithatë klubet dyshojnë për këtë

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), të martën, mori vendim t’i shtyjë Lojërat Olimpike “Tokio 2020” për verën e vitit të ardhshëm. Vendimin për shtyrje e ka arsyetuar me mbrojtjen e shëndetit të sportistëve nga koronavirusi, pandemi që tashmë ka prekur gjithë botën. Por, para IOC-së, ishte Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) që mori vendim për të ardhmen e futbollit.

UEFA, ditë më parë shtyu Kampionatin Evropian për vitin 2021, e po ashtu mori vendim që kampionatet kombëtare të përfundojnë më së largu në fund të muajit qershori. UEFA, gjithashtu e caktoi 4 qershorin si datën kur do të zhvillohet edhe ndeshja e plejofit të Ligës së Kombeve në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e cila do të luhet në Shkup.

Është vetëm kampionati i Bjellorusisë në futboll që nuk ka pezulluar aktivitetin deri më tash, pavarësisht përhapjes së koronavirusit. Kampionatet e tjera, e po ashtu edhe ai i Kosovës tashmë janë pezulluar deri në një afat të pacaktuar.

Futbollistët e klubeve të Kosovës vazhdojnë të stërviten individualisht nëpër shtëpitë e tyre në këtë kohë izolimi. Nuk dihet se kur do të mund të bëhen bashkë për t’i zhvilluar 11 ndeshjet e fazës së fundit të këtij edicioni, por edhe duelet e serisë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Megjithatë, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka besim se kampionati mund të rifillojë muajin e ardhshëm. Por, klubet janë paksa skeptike se garat mund të rifillojnë gjatë muajit prill.

“Po besoj shumë që do të fillojë më herët në mënyrë mos t’i mundojmë shumë klubet tona që të zhvillojnë ndeshje çdo tri ditë. Dhe, nëse do të jetë ngarkesë e papërballueshme për klubet, sigurisht që do të kërkojmë nga UEFA që të na pranojë një afat tjetër”, ka thënë Ademi.

Shpërndaje në: