FFK-ja refuzon ankesën e FC Ballkanit

FFK-ja refuzon ankesën e FC Ballkanit

Komisioni për Ankesa i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka refuzuar ankesën e FC Ballkanit.

Klubi nga Suhareka ishte dënuar nga Komisioni Disiplinor për shkak të incidentit në ndeshjen e xhiros së 22-të në Superligë, kundër Dukagjinit, shkruan Gazet Express.

FC Ballkani ishte dënuar me gjobë prej 1500 eurosh për lëshim në organizimin e ndeshjes.

Presidenti i këtij klubi, Arsim Kabashi, u dënua me gjobë prej 1000 eurosh, kurse ndihmës menaxheri, Idriz Hajrizi, u dënua me 500 euro, si dhe me suspendim prej tri ndeshjeve.

Pa dënime nuk shpëtuan as trajneri, Ilir Daja, dhe drejtori sportiv i “Xhebrailave”, Nderim Nexhipi. Daja u dënua me gjobë prej 100 eurosh, kurse Nexhpi me 300 euro.

FC Ballkani parashtroi një ankesë lidhur me këto vendime, por që Komisioni për Ankesa njoftoi sot se ankesa është refuzuar si e pabazuar.

Njoftimi i plotë:

“Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, në përbërje Haki Xhemajli kryetar, Sitki Baftiu dhe Remzi Azemi anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 27.03.2023 shqyrtoi ankesën e FC ”Ballkani” me nr Reference 1274/1 datë 09.03.2023, e cila ka atakuar vendimin e Komisionit Disiplinor të datës 03.03.2023. Komisioni Disiplinor –shkalla e parë për shkak të inicidentit në ndeshjen të xhiros së 22-të të Albi Mall Superligës, Ballkani-Dukagjini ka dënuar FC “Ballkani” me gjobë prej 1500 euro (lëshim në organizim të ndeshjes), presidentin e klubit Arsim Kabashi me gjobë prej 1000 euro, Nd/menaxherin Idriz Hajrizi me gjobë prej 500 euro dhe me 3 (tre) ndeshje zyrtare të organizuara nga FFK pa të drejtë të ushtrim të detyrës zyrtare, kryetrajnerin Ilir Daja me gjobë prej 1000 euro si dhe drejtorin sportiv Nderim Nexhipi me gjobë prej 300 euro. Pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit dhe provave tjera shtesë, Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë mori këtë:

VENDIM

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në mbledhjen e mbajtur më datë 27.03.2023 pas shqyrtimit të të gjitha shkresave, argumenteve dhe provave shtesë të ofruara konstatoi se vendimi i Komisionit Disiplinor –shkalla e pare 03.03.2023 është i drejtë dhe Vërtetohet, ndërsa ankesa e FC“ Ballkani ” refuzohet si e pabazuar.

ARSYETIM

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, pas shqyrtimit të ankesës dhe provave mori këtë vendim bazuar në nenin 119 pika A të Rregullores Disiplinore. Bazuar në të gjitha të dhënat dhe materialet e disponuara nga Komisioni i Garave dhe Komisioni Disiplinor-shkalla e parë si dhe deklaratave të personave zyrtar të ndeshjes arriti në përfundim se vendimi i Komisioni Disiplinor –shkalla e parë është i drejtë”.

Shpërndaje në: