FIFA e konfirmon Kupën Botërore Katari 2022, por mbetet enigmë numri i pjesëmarrësve

FIFA e konfirmon Kupën Botërore Katari 2022, por mbetet enigmë numri i pjesëmarrësve

Trupi udhëheqës i futbollit botëror FIFA e ka konfirmuar datën e saktë për Kupën e Botës 2022 në Katar, por numri i ekipeve që do të marrin pjesë është ende i pavendosur.

Edicioni i turneut më të madh botëror të vitit 2022 do të fillojë më 21 nëntor dhe pritet të përfundojë më 18 dhjetor, e cila është gjithashtu edhe dita e Katarit, e konfirmoi Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino gjatë një konference për shtyp në Moskë.

Mbajtja e turneut në prag të stinës dimërore është për shkak të nxehtësisë së verës që mbizotëron në kombin e Gjirit, por ndryshimi do të shkaktojë përçarje në garat e ligave vendase anembanë botës, raportoi “RT”, transmeton Periskopi.

“Të gjitha ligat janë të vetëdijshme dhe ata duhet të përshtatin agjendën e tyre”, u shpreh Infantino. “Në fund është një vendim i drejtë (për të ndryshuar datat). Është e pamundur të luhet në qershor ose korrik dhe nëntori ose dhjetori do të jetë më i mirë për lojtarët pasi është edhe fillimi i sezonës”.

Më herët është përfolur për zgjerimin e Kampionatit Botëror nga 32 ekipe sa ka gjithsej në 48, por për garat në Katar ende nuk është konfirmuar numri i saktë.

“Në muajt e ardhshëm, ne do të takohemi me autoritetet e Katarit për të marrë një vendim. Për momentin, do të luhet me 32 skuadra dhe shpërndarja e vendeve do të mbetët kështu siç është”, tha Infantino./Periskopi/

Shpërndaje në: