“Figurat e reja brenda LDK-së ta dërgojnë PDK-në në opozitë”

“Figurat e reja brenda LDK-së ta dërgojnë PDK-në në opozitë”

Njohësi i çështjeve politike, Krenar Shala në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur rreth deklaratave të zyrtarëve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa të cilët janë shprehur kundër koalicionit me PDK-në.

Ai ka thënë se figurat e reja të LDK-së kanë fituar fuqi politike dhe kjo ka reflektuar pozitivisht duke këmbngulur kështu për ta dërguar PDK-në në opozitë.

“Në anën tjetër vërehet që edhe në LDK figurat e reja kanë fituar fuqi politike dhe kjo fuqi duhet të reflektohet me këmbënguljen në zhvendosjen e PDK-së në opozitë dhe marrjen e lidershipit të partisë, duke i eliminuar politikisht ekponentët e vjetër”, tha ai.

Shala më tej tha se zgjedhjet e 11 qershorit kanë ndikuar pozitivisht në ndryshmin e skenës politike në Kosovë. Ndryshim ky që sipas Shalës do të ishte sikur PDK-ja të zhvendosej në opozitë dhe të pësoj ndryshim rrënjësorë.

“Mendoj që zgjedhjet kanë ndikuar në disponimin e liderëve politik që të reflektojnë dhe t’i shtojnë përpjekjet për reformimin e partive politike. Kuptohet që qytetarët kanë kërkuar ndryshim. Dhe ndryshimi duhet të ndodhë medeomos. Ndryshim nënkupton që PDK të zhvendoset në opozitë dhe radikalisht të reformohet”, ka thënë Shala.

Ndryshe zyrtarë të koalicionit LAA, kanë vija të kuqe me PDK-në dhe nuk po përjashtojnë mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Bazuar në rezultatin zgjedhor, koalicioni PDK-AAK-NISMA ka arritur të marrë shumicën e votave apo mbi 33 për qind të tyre, kështu duke u pasuar nga Vetëvendosje e cila garoi si e vetme në këto zgjedhje të parakohshme e ku arriti të marrë më mbi 27 për qind të votave, ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa u rëndit si i treti më radh me mbi 25 për qind të votave.

Shpërndaje në: