Filozofi kosovar takohet në Prishtinë me tre portugezë: I mendon si irakianë ose sirianë të ardhur nga lufta

Periskopi.com Lajme

Filozofi kosovar, Blerim Latifi, pretendon se ka qenë dëshmitar i një skene të pakëndshme me tre qytetarë që pretendon se mund të kenë qenë nga zonat e konfliktit në Siri ose Irak.

Latifi shkruan se pasi i pa ata në rrugën afër Institutit Albanologjik, i ishte krijuar përshtypja se “ishin sirianë ose irakianë.”

Madje, ai shton se njëri prej tyre e kishte kokën të lidhur me fashë, dhe e cila ishte “e njollosur nga gjaku.” Latifi beson që ai ishte i plagosur.

“E pyeta të plagosurin: “Çfarë i ke ato plagë? M’u përgjigj me një anglishte gjymake: mafiozët më kanë sulmuar! Kush janë mafiozët? E pyeta prapë. Ne jemi portugezë! Ishte përgjigjja e tij. Sigurisht se po më gënjente, sepse gjithçka në fytyrat, trupat dhe sjelljen e tyre fliste se janë të ardhur nga zonat e luftës në Siri apo Irak.” – shkruan z.Latifi edhe pse nuk tregon se çka në të vërtetë i ka ndihmuar t’i identifikonte ata si sirianë apo irakianë, e jo si portugezë, shkruan Periskopi.

Z.Latifi njihet ndryshe edhe si një kritik i fortë i fesë myslimane dhe shpesh është përplasur ashpër me myslimanë të ndryshëm në lidhje me këtë çështje.

Më tej, filozofi kosovar thotë që në fytyrat e tyra pa rrënimin e një populli të tërë nga lufta e pamëshirshme sektare për pushtet, e cila “po zgjatë tash e nëntë vite”. As në këtë rast ai nuk tregon se çka në të vërtetë i tregoi atij rrënimin e një populli vetëm nga fytyrat e tre të rinjve.

Më poshtë e keni statusin e plotë të tij:

Një takim i papritur

Në rrugën afër Institutit Albanologjik, rastësisht i pashë tre të rinj, të cilët, që në shikim të parë, më krijuan përshtypjen se janë sirianë ose irakianë. Dukej se ishin midis moshës 20 dhe 25 vjeçare. Njëri prej tyre e kishte kokën të lidhur me fashë, e cila ishte e njollosur nga gjaku. Edhe njërën dorë e kishte të lidhur me fashë. Shihej qartë se ishte i plagosur. Kishin ndaluar në trotuar dhe qëndronin të hutuar e të frikësuar. Të jepnin përshtypjen se nuk e dinin fare se ku ndodheshin, e nga duhej të shkonin. Me gjasë ndonjë trafikant i kishte sjellur deri aty. E pyeta të plagosurin : Çfarë i ke ato plagë? Mu përgjigj me një anglishte gjysmake: Mafiozët më kanë sulmuar! Kush janë mafiozët?, e pyeta prapë. Ne jemi portugezë!, ishte përgjigjja e tij. Sigurisht se po më gënjente, sepse gjithçka në fytyrat, trupat dhe sjelljen e tyre fliste se janë të ardhur nga zonat e luftës në Siri apo Irak. Ai më i riu nisi të kishte frikë nga prezenca ime , prandaj e ndërpreva bisedën dhe u largova. Kur tanimë isha larguar rreth 100 metra prej tyre, ktheva kokën t’i shikoja. Ata vazhdonin të qëndronin aty. Me siguri prisnin të hasnin në ndonjë polic, i cili do t’i dërgonte në ndonjë qendër për të huajt që hyjnë ilegalisht në Kosovë. Në fytyrat e tyre pasqyrohej më se miri rrënimi i një populli të tërë nga lufta e pamëshirshme sektare për pushtet, e cila po zgjatë tash e nëntë vite. Mu kujtuan poashtu qindra kosovarë, që të nxitur nga mercenarët e ndytë salafistë, lanë vendin e tyre dhe shkuan të vriten në atë luftë të pakuptimtë, duke lënë pas vetëm njollën e turpit për veten e tyre dhe për vendin të cilit i takonin.

Shpërndaje në: