“FinCen Files” demaskon oligarkët e Vladimir Putinit

Periskopi.com Lajme

Në verën e vitit 2015, dega e britanike e Barclays në Nju Jork lajmëroi si të dyshimtë një transferim prej 1 milion dollarësh te ish-nënkryetari i Bashkisë së Moskës, Iosif Ordzhonikidze për “shërbime këshillimi”.

Transferimi u bë nga një kompani e quajtur BEM Global Corp., e cila kontrollohet nga biznesmeni që merret me pasuri të patundshme, Roman Fuks. Një nga projektet kryesore të realizuar nga Fuks dhe vëllai i tij, Pavel Fuks, ishte një kompleks i ndërtesave të larta i njohur si Moscow-City. Ordzhonikidze kishte mbikëqyrur këtë projekt për zyrën e kryebashkiakut të Moskës para se të largohej nga posti në 2007.

Në vitin 2019, një urdhërarrest ndërkombëtar u lëshua për vëllezërit Fuks, të cilët kërkohen në Rusi dhe Kazakistan me akuzën e përvetësimit të miliona dollarëve nga projekti Moscow-City.

Raporti për veprimtaritë e dyshimta nga Barclays (SAR) u dërgua në FinCEN, një agjenci e Departamentit të Thesarit në SHBA që lufton pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Ishte një nga më shumë se 2,000 raporte të tilla që datojnë nga 2011-2017 që u publikuan në vitin 2017.

Të menaxhuar nga BuzzFeed dhe Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë me bazë në Uashington (ICIJ), më shumë se 400 gazetarë nga mbi 80 vende kanë kontrolluar këto dokumente dhe filluan botimin e tyre më 21 shtator. Megjithëse 2,000 raportet e publikuara përbëjnë vetëm 0,02 për qind nga të gjitha ankesat e SAR të paraqitura gjatë kësaj periudhe, ata kanë dokumentuar transferimin e dyshimtë të më shumë se 2 trilionë dollarëve amerikanë.

Këto dokumente të FinCEN nuk janë sasi më e vogël se sa rrjedhja e Panama Papers më 2016, e cila zbuloi shumë në lidhje me përdorimin e kompanive në vende të ndryshme nga biznese të mëdha dhe politikanë të njohur nga e gjithë bota.

“Në këtë rast, sasia e informacionit është më e vogël, por është një sasi e konsiderueshme që meriton punë të mëtejshme”, tha gazetari rus Roman Shleinov, i cili mori pjesë në projekt dhe ishte një nga autorët e raportit fillestar mbi lidhjet ruse.

Dokumentet hedhin dritë të mëtejshme mbi lidhjet e fshehura të Qeverisë së Rusisë dhe të organizatave tjera joqeveritare me ndikim të madh gjatë kohës së qeverisjes së Vladimir Putinit, ku sundimin e të cilit, disa analistë e përshkruajnë si një kleptokraci autoritare.

Elita qeverisëse nën Putinin “ka arritur të integrohet shumë mirë në botën perëndimore,” i tha Radios Evropa e Lirë gazetarja britanike Catherine Belton. Ajo është autore e librit: “Njerëzit e Putinit: Si KGB-ja e ktheu Rusinë dhe më pas u kthye kah Perëndimi”.

“Vlerësohet se rreth 800 miliardë dollarë nga Rusia janë në llogari bankare në vende tjera, dhe kjo është më shumë se shuma e parave në llogaritë ruse. Dhe, përkundër të gjitha deklaratave dhe përpjekjeve të Putinit, kjo shifër vetëm po rritet”.

Një raport i SAR-it nuk do të thotë akuzë për veprimtari të paligjshme, theksojnë Shleinov dhe gazetarë të tjerë që punojnë në kontrollimin e dokumenteve të FinCEN. Në rastin e transferimit të parave te Ordzhonikidze, Shleinov theksoi se SAR nuk ka vërtetuar se kishte një ryshfet.

“Ne po flasim vetëm për atë që mund të vërtetojmë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

“Ne e shohim që janë bërë pagesa të çuditshme. Banka korresponduese amerikane i raportoi ato. Kjo do të thotë që këto transaksione duhet të shpjegohen disi, pasi ato ngrenë pyetje të mëdha. Pse Roman Fuks, një njeri që tani është nën akuzë penale, një ndërtues, transferoi papritmas një milion dollarë te ish-nënkryetari i bashkisë për punën e bërë si ‘konsultim’?”

Violonçelisti i Putinit

Një nga personat kryesorë në Panama Papers ishte violonçelisti dhe miku i vjetër Putinit, Sergei Rodulgin. Edhe pse Rodulgin ka hedhur poshtë se ka qenë i përfshirë, publikimi i Panama Papers e lidhi atë me disa kompani të ndryshme globale që nuk paguanin taksa askund ku kishte flukse parash në vlera miliarda dollarë. Analistët në atë kohë spekuluan se Rodulgin, i cili është kumbari i vajzës së madhe të Putinit, mund të ketë qenë duke kontrolluar paratë e destinuara për vetë Putinin, akuza që muzikanti dhe Kremlini i kanë mohuar.

Dokumentet e rrjedhura nga FinCEN përfshin një raport nga SAR të një transferi prej 830,000 dollarësh në tetor të vitit 2010 në Sandalwood Continental, një kompani që Panama Papers zbuloi se kontrollohej nga Roldugin. Pagesa erdhi nga një firmë me qendër në Qipro, e quajtur Dulston Ventures, firmë kjo e lidhur me konsorciumin e miliarderit rus Aleksei Mordashov, Severgroup. Konsorciumi ka refuzuar të komentojë mbi raportin e SAR.

Sipas Panama Papers, Rodulgin ishte i lidhur me biznese të tjera të kontrolluara nga Mordashov. Firmat e lidhura me Rodulgin morën 30 milionë dollarë për “shërbime këshillimi” nga firmat e Mordashov, si dhe një kredi prej 6 milionë dollarë që më vonë u shlye e gjitha.

“Shuma që u përmend në raportin e bankës amerikane nuk është aq e madhe – më pak se 1 milion dollarë”, tha Shleinov. “Por, aty ka disa nuanca interesante. Për shembull, raporti përmend një lloj marrëveshjeje për kredi. Pse një biznesmen kaq i madh rus papritmas do të kërkonte një hua nga një zyrë aspak e njohur e lidhur me një violonçelist, i cili gjithë jetën e tij ka thënë se ai nuk është i përfshirë në biznes? Sinqerisht e kam të vështirë ta shpjegoj këtë”.

Valentin Yumashev dhe gruaja e tij Tatyana Dyachenko, vajza e Boris Yeltsin, thuhet se kanë qasje në nivelet më të larta të pushtetit në Rusi.

Valentin Yumashev  dhe gruaja e tij Tatyana Dyachenko, vajza e Boris Yeltsin, thuhet se kanë qasje në nivelet më të larta të pushtetit në Rusi.

Lidhja Yeltsin

Sipas dokumenteve të FinCEN, Valentin Yumashev – për të cilin thuhet se punon si këshilltar i papaguar i Putinit dhe i cili është i martuar me Tatyana Dyachenko, vajza e ish-presidentit të ndjerë Boris Yeltsin – mori 6 milionë dollarë nga një firmë e quajtur Epion Holdings Limited, e regjistruar në ishujt Virgjinë të Britanisë. Epion është në pronësi të miliarderit Alisher Usmanov. Transferimet u bënë në bazë të një marrëveshjeje për kryerje të “shërbimeve” mes viteve 2006 dhe 2008.

Yumashev ishte shefi i stafi të Yeltsin dhe sipas shumë raporteve, luajti një rol kryesor në emërimin e Putinit si pasardhës të Yeltsin por në këmbim Putin do të mbronte Yeltsinin dhe rrethin e tij të ngushtë. Në rolin e tij si “këshilltar i papaguar i Kremlinit”, Yumashev besohet të jetë një lobist i fuqishëm me qasje në nivelet më të larta të Qeverisë ruse. Në një intervistë të vitit 2011 për median Moskovsky Komsomolets, Yumashev tha se ai nuk ishte i pasur.

“Nëse do të kisha bërë miliona, do të duhej të kishte disa prova për këtë”, tha ai. “Por, as Tanya dhe as unë nuk kemi ndonjë aeroplan ose vilë në Francë ose Angli”.

Yumashev, Usmanov dhe Kremlini refuzuan kërkesat e medias Important Stories (Tregime të Rëndësishme) për të komentuar mbi dokumentet.

Yumashev “ka këmbëngulur në intervista se ai dhe familja e tij nuk kanë të hyra të mëdha financiare”, Shleinov i tha Radios Evropa e Lirë. “Po, ai është një këshilltar i shumë njerëzve të biznesit, por ai këmbëngul në intervista se ai nuk është i pasur. Por, tani ne shohim një pagesë mjaft të konsiderueshme prej 6 milionë dollarë për Yumashev nga Usmanov. Do të ishte interesante të kuptonim pse u paguan këto para. Por, deri më tani askush nuk thotë ndonjë gjë – as Yumashev dhe as firmat e Usmanov”.

‘Një det i madh me informacione’

Shleinov tha se ndoshta mësimi kryesor i rrjedhjes se informatave nga FinCEN ka të bëjë me vetë FinCEN, i cili duket se është joefektiv për shkak të vëllimit të madh të informacionit që merr.

“Ndjenja ime personale, pasi kam punuar me dosjet e Departamentit të Thesarit, është se ky institucion merr një sasi të madhe raportesh, një sasi kolosale”, tha Shleinov. “Kam përshtypjen se burokratët e Departamentit të Thesarit në këtë agjenci thjesht po fundosen në një det të madh me informacione dhe, për fat të keq, nuk mund t’i hetojnë në çdo rast çështjet e dyshimta”.

“Makineria po punon, por nuk do të thosha me shumë efikasitet”, shtoi ai. “Ndoshta një ditë ata do të miratojnë disa rregullore më të rrepta ose të marrin disa masa për të qenë më të rreptë në lidhje me këto transfere bankare. Por unë nuk mendoj se edhe kjo me të vërtetë do të kufizojë mekanizmat për lëvizjen e parave që përdoren, ndër të tjera, nga zyrtarët dhe biznesmenët tanë”.

Shpërndaje në: