Vëllai i Enver Dugollit një hap larg rehatimit me një pozitë të rëndësishme në Ministri të Mbrojtjes

Vëllai i Enver Dugollit një hap larg rehatimit me një pozitë të rëndësishme në Ministri të Mbrojtjes

Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugollit, është një hap larg rehatimit në pozitën e rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes. Atë të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, ku aktualisht është shef i protokollit.

Dugolli është përzgjedhur në listën e ngushtë për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në dokumentin që e ka siguruar Reporteri.net, figuron se Dugolli e ka një kundërkandidat për këtë pozitë. Ai është Kushtrim Brahimaj, ish-Zëvendës Ministër në Ministrinë e Financave gjatë Qeverisë së Haradinajt. Të dy ata do të vazhdojnë procedurën e mëtejme për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Lista me kandidatët e ngushtë është publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, saktësisht Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, më 13 qershor 2022.

Gafurr Dugolli aktualisht është shef i Protokollit në Ministrinë ku po synon të avancohet përmes një konkursi të hapur në pozitën e sekretarit të përgjithshëm.

I vëllai i tij, Enver Dugolli ka mbajtur më herët pozitën e zëvendësministrit në Ministri të Mbrojtjes, derisa aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Aktualisht Ministria e Mbrojtjes është me zëvendëssekretar, sipas faqes zyrtare të kësaj ministrie. Ai është Salvador Elmazi.

Ndryshe, gjatë këtij viti në media është raportuar vazhdimisht për punësimin e familjarëve të zyrtarëve të Levizjes Vetëvendosje, ndonëse këto praktika kjo parti i kishte kritikuar gjithnjë sa ka qenë në opozitë. Për këto veprime, Kryeministri Albin Kurti s’e ka thënë asnjë fjalë, por vetëm i ka injoruar deri më tash.

Edhe vetë Kurti kur ishte në opozitë ishte shumë i zëshëm në këtë drejtim. Në një tubim zgjedhor bashkë me Vjosa Osmanin, Kurti kishte deklaruar para qytetarëve se është shumë e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës të jenë njerëzit më të ndershëm dhe të dijshëm dhe se për këtë arsye nuk mund të mbushen ambasadat e ministritë me kushërinj.

Kishte thënë se fisi është për dasmë, e jo për në Qeveri.

“Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pas njerëzit më të ndershëm dhe dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Kurti.

Deklarata e tij citohej herë pas here nga zyrtarë të kësaj partie, para se Vetëvendosja të vinte në pushtet. Por, tash kur kjo parti udhëheq me ekzekutivin, duket se është harruar deklarata e Kurtit.

Lidhjet e familjes Dugolli me pushtetin e Albin Kurtit nuk janë vetëm përmes deputetit Enver Dugolli. Edhe vëllai i tjetër i tyre, Bujar Dugolli, njihet si “militant” i shquar i Qeverisë dhe i Lëvizjes Vetëvendosje, nëpër media e studio televizive.

Shpërndaje në: