Fitore Pacolli, deputete, reklamë grupit të vëllait të tij që nisi linçimet

Periskopi.com Lajme

Tjetër grup në facebook i ashtuquajtur “me kryeministrin”, ka filluar linçimet ndaj mediave. Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, i ka dalë në përkrahje këtyre linçimeve brenda grupit.

Fitore Pacolli përmes një shkrimi në facebook¸akuzoi mediat se kanë punuar që ky grup të mbyllet. Gjithashtu, Pacolli e reklamoi pak grupin e ri i cili është rihapur.

“Vajzat dhe djemët që krijuan grupin #meKryeministrin arritën ti bëjnë disa nga portalet të shkruajnë për ta në çdo të dytin postim e të festojnë sepse paskan arritur t’ia mbyllin grupin. Por, Grupi i ri “me Kryeministrin” paska vendosur të kthehet fuqishëm. Për pak orë iu paskan bashkëngjitur mbi 10.000 ndjekës”, shkruan Pacolli.

Ndërsa Berna Ibrahimi, një ndër administratorët e këtij grupi, ka shkruar aty duke thënë se për mbylljen e grupit paraprak janë gëzuar ish-regjimi, duke përmendur edhe media e gazetar.

Grupi në Facebook, “Me Kryeministrin”, ku ishin mbledhur mbi 300 mijë mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, tani nuk gjendet më askund.

Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, ishte njëri nga administratorët e këtij grupi.

Ai e mban ende në profilin e tij në Facebook linkun e grupit, i cili aktualisht nuk hapet.

Sipas Facebook-ut, ky grup nuk është i disponueshëm momentalisht pasi krijuesit mund ta kenë ndarë atë vetëm me një grup të vogël njerëzish ose është fshirë tërësisht.

Të hënën, një grup i ri, i quajtur po njësoj, “meKryeministrin”, u hap.

Grupin e ri e ka krijuar po Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së LVV-së dhe ka shtatë anëtarë.

Grupi i madh “Me Kryeministrin” u krijua si shenjë revolte pas rënies së Qeverisë Kurti 1.

Aty është bërë fushatë e veçantë kundër gazetarëve dhe kujtdo që e kundërshtonte kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Kolegji i Komisionerëve evropianë e pati theksuar çështjen e linçimit të gazetarëve në Raportin e Progresit për këtë vit.

Në pjesën ku flitej për lirinë e mediave, në Raportin e Progresit, thuhej:

“Megjithatë mbetet shqetësim fushata kërcënuese dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.”