Fitorja e Lulas në Brazil është lajm i mirë edhe për botën

Fitorja e Lulas në Brazil është lajm i mirë edhe për botën

Rikthimi i jashtëzakonshëm i politikanit majtist, Luiz Inacio Lula da Silva, për mandatin e tretë si president i Brazilit nuk është lajm i mirë vetëm për vendin e tij. Fitorja e tij kundrejt ekstremistit të djathtë në detyrë, Jair Bolsonaro, është gjithashtu lajm i mirë për botën.

Qysh kur Bolsonaro erdhi në detyrë në vitin 2019, djegia e maleve dhe shpyllëzimi arritën në nivelet më të larta në Amazon, me Qeverinë federale që mbylli syrin ndaj prerjeve ilegale, gërmimit, kullosjes jo ligjore dhe grabitjes së tokave.

Pyjet e Brazilit kaluan prej një lavamani të karbonit në një burim të karbonit. Nëse do të lejohej të vazhdonte kjo, dëmi i ‘mushkërive të botës’ do ishte i papërmirësuar- me efekte shkatërrimtare në sistemin botëror të motit dhe në sigurinë e ushqimit.

Lula, siç njihet përgjithësisht, u zotua të rishikonte politikat e paraardhësit që kanë përkeqësuar emergjencën klimatike. Si rezultat i kësaj, bota do të frymojë më lirshëm. Por, Bolsonaro i ka humbur zgjedhjet me rezultat të ngushtë. Deri në momentet që po shkruaj, ai ka refuzuar ta pranojë humbjen. Bolsonaro, që ka lavdëruar diktaturën dhe torturën, mund të mos e pranojë kurrë vullnetin e njerëzve, por ata që kanë mbështetur atë- prej evangjelistëve deri tek aleatët politikë- janë pajtuar se gara tashmë është e humbur. Hezitimi i tij për të qenë i pazëshëm mund jetë për shkak se frikësohet se mund të përfundojë prapa qelisë.

Imuniteti presidencial ka ndihmuar në mburojën e Bolsonaros dhe aleatëve të tij politikë prej hetimeve ndaj dyshimeve të kahmotshme për korrupsion dhe përvetësim. Për Bolsonaron, kjo mburojë do të zhduket në janar.

Bolsonaro njihej si “Trump-i i tropikaleve” dhe ai ka përdorur një doracak të ngjashëm. Ngjashëm si ish-presidenti amerikan, Bolsonaro ka polarizuar vendin e tij të ndarë duke denigruar gratë, homoseksualët dhe minoritetet. Ai armatosi mbështetësit e tij duke e “pushtuar” vendin me armë.

Pandemia që vrau pothuasje 700 mijë njerëz ndihmoi në rritjen e numrit të njerëzve të varfër në nivele rekorde dhe bëri që ai të fundosej në sondazhe. Përgjigja e tij ishte të shpërndante “fake neës”, të kryente pagesat e ndihmës sociale dhe të dërgonte policinë federale të autostradës për të bllokuar rrugët në rajonet pro-Lula në ditën e zgjedhjeve. Por mjaftueshëm brazilianë u rikthyen kah Lula, mandati i fundit i së cilit në pushtet kishte nxitur rritje ekonomike dhe zvogëlim të pabarazisë.

I burgosur nga Qeveria e mëparshme e djathë për korrupsionin e pretenduar, Lula u lirua dhe akuzat ndaj tij u anuluan vitin e kaluar, duke ia mundësuar atij të garonte përsëri. Megjithatë, Brazili tani është një vend tjetër në krahasim me atë që ai udhëheqi herën e fundit. Kur ai u largua nga zyra në vitin 2010, shkalla e vlerësimit për Lulan ishte stratosferike. Tani, një pakicë e vogël mendon se ish-presidenti dhe presidenti i tyre i ardhshëm është i korruptuar.

Në vitin 2010 Brazili ishte ekonomia e shtatë e botës- tani ka rënë në vendin e 13-të. Vendi tani karakterizohet nga rritja e kamatave dhe ndarjet e thelluara. Ringritja modeste ekonomike e Brazilit nuk pritet të zgjasë teksa bota po përballet me një recesion që Brazili nuk do t’i shmanget.

Fitorja e Lula nuk mund ta hijezojë faktin se ai përballet me një Kongres të dominuar prej politikanëve konservativë të qendrës Centrao (qendra e madhe)- që janë rreshtuar me Bolsonaron.

Presidenti i ri do të duhet të ketë marrëveshje të pajtimit për të kaluar legjislacionin. Reformat e thella strukturore që kanë nevojë për ndryshime të kushtetutës me gjasë do jenë jashtë tavolinës.

Falë politikave të tij ambientaliste dhe mbrojtjes së tij të demokracisë, Lula mund të llogarisë në mbështetjen e liderëve kryesorë të botës. Presidenti Joe Biden ka ofruar krijimin e një fondi 20 miliardë dollarësh për Amazonën sapo që Brazili të fillojë të tregojë rezultate në mbrojtjen e pyjeve të tij. Nën udhëheqjen e Bolsonaros, Brazili humbi rrugën dhe mendjen e tij. Fitorja e Lulas dëshmon se vendi mund të rikthehet në rrugën e mendjes së shëndoshë. /Periskopi/

Shkruan: The Guardian, përktheu: Periskopi.

Shpërndaje në: