Fituesit dhe humbësit më të mëdhenj në zgjedhjet e 6 tetorit (Lista)

Fituesit dhe humbësit më të mëdhenj në zgjedhjet e 6 tetorit (Lista)

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit ndryshuan skenën politike të vendit. Vetëvendosje doli partia e parë, LDK e dyta ndërsa komuniteti serb do të përfaqësohet vetëm nga Lista Serbe.

Por, rezultatet zgjedhore në demokracinë përfaqësimtare nuk janë asnjëherë krejtësisht të qarta. Dikush humb shumë e dikush fiton shumë, ndërsa dikush humb më pak e dikush tjetër fiton si Pirroja i Epirit.

Periskopi iu sjell fituesit dhe humbësit realë të këtyre zgjedhjeve, e që përnjëmend pritet të ndërrojnë radikalisht skenën tonë politike:

Fitues i madh: Lista Serbe

Kjo parti politike që ka deleguar pushtetin real në Beograd ka arritur të fitojë 52 mijë e 620 vota, ose 6,61 për qind. Ajo e mundi bindshëm Sllobodën e Nenad Rashiqit, dhe e cila parti i mori vetëm 0,09 për qind, duke shënuar një humbje të thellë.

Në këtë pikë vlen të përmendim edhe situatën e tensionuar në të cilën partia e Rakiqit e Vuçiqit fituan. Kjo ndodhi pas një mori kërcënimesh e sulmesh ndaj politikanëve rivalë.

E megjithatë, rezultati i tyre rrezikon themelet e shtetit tonë që bazohen te multietniciteti.

Humbës të mëdhenj: Nisma Socialdemokrate-AKR-PD

Koalicioni NISMA-AKR-PD përbëhej nga tri parti politike serioze në vendin tonë. AKR-ja dikur arrinte e vetme të siguronte mbi 13 për qind të votave. Fatmir Limaj ishte zv.kryeministër i vendit. PD-ja ishte zëri i një pjese të madhe myslimanësh në vend.

E megjithatë, së bashku, nga votat e rregullta të numëruara nuk ia dolën të kalonin pragun prej 5 për qind duke i fituar vetëm 4,96 sosh.

I vetmi shpëtim janë njerëzit që votuan me kusht dhe votuesit nga diaspora.

Fitues: Albin Kurti

Partia e Albin Kurtit, Vetëvendosje, ia doli të dilte e para me 203 mijë vota të siguruara nga votat e rregullta të numëruara në KQZ.

Nuk dihet nëse Kurti do të jetë sërish njeriu më i votuar në vend. Megjithatë, rezultati zgjedhor i partisë së tij është relativisht i mirë dhe kjo gjë nuk mund të mohohet.

Tashmë, LDK praktikisht ka pranuar vendin e parë për Vetëvendosjen duke e bërë mandatar Kurtin për pozitën e kryetarit të Qeverisë.

Fitues: Prurjet e reja të PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës për herë të parë pas 12 vitesh nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës, me shumë gjasë. E megjithatë, PDK-ja e drejtuar nga Veseli bëri një fushatë të mirë duke prezantuar disa emra të respektuar e me nam, si Eliza Hoxha, Besa Ismaili, Migjen Kelmendi, Valdete Idrizi, Blerim Latifi, Fakir Spahiu etj.

Këta emra duket se kanë arritur të lënë prapa disa politikanë të vjetër të saj, si Xhavit Haliti, Rrustem Mustafa-Remi etj.

Humbësit më të mëdhenj: Partia Socialdemokrate (PSD)

Partia Socialdemokrate tashmë e ka pranuar humbjen e thellë në zgjedhjet e 6 tetorit. Ata janë duke luftuar për vetëm një deputet, me Natyra Kuçin që është në luftë me Donika Kadaj-Bujupin, shkruan Periskopi.

Kjo parti është dëmtuar shumë nga sulmet e ndërsjella me Vetëvendosjen, por edhe nga koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës [AAK].

Sidoqoftë, PSD-ja e drejtuar nga Shpend Ahmeti, ka mundësi të ristrukturohet në vitet e ardhshme.

Fituesi më i madh: Isa Mustafa

Vjosa Osmani duket se ka pranuar të jetë zv.kryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme. Kjo e mban z.Isa Mustafa, kryetarin e LDK-së, lider me autoritet të pakontestueshëm në partinë e tij, dhe me mundësi reale që në një marrëveshje për koalicion qeveritar me LVV-në të sigurojë edhe postin e presidentit pas vitit 2021.

Ai po ashtu, e qiti në pozitë të palakmueshme z.Lutfi Haziri, i cili shënoi rezultat mjaft negativ në Gjilan – duke u konsideruar fajtor i madh për humbjen e Vjosa Osmanit në garë me Kurtin.

Humbës i vogël: Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj shënoi rezultat katastrofal në këto zgjedhje duke marrë vetëm 11,5 për qind të votave.

Haradinaj kishte dhënë dorëheqje më 19 korrik të këtij viti duke shpresuar se partia e tij do të dilte e para në nivel vendi, por doli që shqiptarët e Kosovës nuk i besuan aspak atij.

Humbëse: Taksa 100%

Fati i taksës 100% është në duart e kryeministrit të ri. E kryeministri i ri ka premtuar masën e Reciprocitetit me Serbinë, që efektivisht do të pezullonte taksën duke i lëshuar vend bllokimit të plotë të mallrave të importuara nga Serbia, në rast se ky vend vazhdon politikën e bllokimit të mallrave të Kosovës.

Fitues: Ivica Daçiq

Politika destruktive e Jashtme që mund të udhëhiqet nga Kurti do të provokojë pashmangshëm një agresivitet të shtuar prej politikës së jashtme të Serbisë. Ivica Daçiq kollitet në këtë pjesë. Ai ka qenë tepër i zënë në muajt e fundit në një fushatë për të siguruar çnjohje për Pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo fushatë, me Kurtin që mund të jetë edhe më destruktiv, pritet të rritet duke e pakësuar numrin e njohjeve.

Daçiq po ashtu ka forcuar rolin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës.

Fitues: Rexhep Qosja dhe përkrahësit e Bashkimit Kombëtar

Kosova ndodhet në një pozicion mjaft delikat historik. Dhe me fitoren e Kurtit, menjëherë morën zjarr njerëzit që e mbështesin projektin e Bashkimit Kombëtar, që praktikisht rrënon Pavarësinë e Kosovës.

Qosja dha dy intervista pas fitores së Kurtit, duke thënë që misioni kryesor do të jetë në fakt Bashkimi Kombëtar.

Shpërndaje në: