Fjalimi i Ramës për Thaçin në OKB, Krasniqi: Sikur çdoherë qëndroi në mbrojtje të vlerave të UÇK’së

Fjalimi i Ramës për Thaçin në OKB, Krasniqi: Sikur çdoherë qëndroi në mbrojtje të vlerave të UÇK’së

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për qëndrimin e tij në mbrojtje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së e quajti si të pabazë raportin e Dick Martyt, teksa tha se ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vuan dënimin padrejtësisht dhe i bëri thirrje OKB-së që të pranojë kërkesën për një raport të ri.

Krasniqi thotë se Rama ka përsëritur të vërtetën tonë të përbashkët.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, edhe sot, sikur secilën herë tjetër gjatë mandatit të tij, qëndroi në mbrojtje të vlerave të luftës së drejtë të UÇK-së dhe udhëheqësve të saj. Edhe në OKB, Kryeministri Rama e përsëriti të vërtetën tonë të përbashkët”.

“Faleminderit Kryeministër Rama për qëndrimin dinjitoz e përfaqësues dhe për përkushtimin e palëkundur për të afirmuar tutje Rezolutën e Shqipërisë të dorëzuar në Këshillin e Evropës” ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Shpërndaje në: