Flamuri i Kosovës prek qiellin e Rios

Flamuri i Kosovës prek qiellin e Rios

E premtja nisi me ngritjen e flamurit të shtetit në Fshatin Olimpik, ku janë vendosur edhe flamujt e 206 delegacioneve të tjera të botës dhe u mbyll me ceremoninë hapëse të Lojërave të para në Amerikën e Jugut dhe të parat për Kosovën e Sudanin Jugor. Kosova do të prezantohet me tetë sportistë në Rio dhe me një konkurrente të fortë për medalje olimpike – Majlinda Kelmendin, shkruan sot Koha Ditore.

Dita e premte nuk ishte e zakontë për Kosovën, aq më pak për sportistët e saj që do ta përfaqësojnë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Ajo nisi me ngritjen e flamurit të shtetit në Fshatin Olimpik, ku janë vendosur edhe flamujt e 206 delegacioneve të tjera të botës dhe u mbyll me ceremoninë hapëse të Lojërave të para në Amerikën e Jugut dhe të parat për Kosovën e Sudanin Jugor, që kanë pak vite që kanë shpallur pavarësinë.

Ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës në Fshatin Olimpik u përcoll me emocione në fytyrat e të pranishmëve. Në ceremoni, pos sportistëve dhe zyrtarëve të sportit që kanë udhëtuar në Rio, ishte edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Me këtë rast u intonua edhe himni i Kosovës.

“Gjithçka ka shkuar shumë mirë deri më tash”, ka thënë për gazetën Jeton Rudari, atashe medial i KOK-ut për “Rio 2016”. “Po presim debutimin e sportistëve tanë. Natyrisht, shpresat janë që të kthehemi me medalje në Kosovë”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore).

Shpërndaje në: