Flasin nga LDK pas vendimit të Kushtetueses që serbët në veri ta paguajnë rrymën: Qeveria ta zbatojë

Flasin nga LDK pas vendimit të Kushtetueses që serbët në veri ta paguajnë rrymën: Qeveria ta zbatojë

Gjykata Kushtetuese ia ka vendosur një obligim të madh Qeverisë Kurti. Pajisjen e konsumatorëve të energjisë elektrike në veri me njësor dhe të bëjë faturimin e rrymës, ndryshe rrezikon ta shkelë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit. Ky afat ka jetëgjatësi 6 muaj…

Periskopi ka kontaktuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për të pyetur rreth këtij vendimi, ku shefi i Grupit Parlamentar të saj, Arben Gashi ka thënë se duhet zbatuar patjetër diçka e tillë.

‘’ Qeveria duhet me e zbatu. Kemi njohuri për atë vendim, sa e di ka ardhur padje. E ka për obligim me zbatu, nuk është çështje vullneti’’, ka thënë Gashi për Periskopin.

Gjykata Kushtetuese ka obliguar Qeverinë e Kosovës që brenda gjashtë muajsh, t’i dërgojnë faturat e shpenzimit të energjisë elektrike shtëpi për shtëpi në katër komuna në veri të vendit të banuara kryesisht me serbë. Qeveria ka heshtur për këtë aktgjykim. Po ashtu edhe opozita.

Gjykata ka vlerësuar se sovraniteti i Kosovës shtrihet edhe nëpërmjet faturimit dhe inkasimit në katër komunat veriore. Si pasojë, mos zbatimi i faturimit dhe mbledhjes së borxheve për shpenzimet e energjisë elektrike, e vë Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, përballë shkeljes së rëndë të Kushtetutës së Republikës.

Kujtojmë se që nga paslufta, qytetarët serbë mëtanë veriut s’kanë paguar asnjë cend për furnizim me rrymë./PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: