Flasin për herë të parë gazetarët pasi u rrahën brutalisht nga talebanët

Flasin për herë të parë gazetarët pasi u rrahën brutalisht nga talebanët

Gazetarët në Afganistan thonë se janë rrahur, ndaluar dhe fshikulluar nga talibanët kur përpiqeshin të mbulonin protestat.

Fotografitë që qarkullojnë në internet shfaqin dy gazetarë nga gazeta Etilaatroz me mavijosje pas arrestimit të tyre në kryeqytetin Kabul.

Njëri prej tyre, Taqi Daryabi, tha për BBC se ishte dërguar në një stacion policie të rrethit ku u godit me shkelma dhe u rrah.

Të mërkurën, ekipi i BBC gjithashtu u pengua të xhirojë.

Daryabi, së bashku me fotografin e Etilaatroz, Nematullah Naqdi, kishte mbuluar një protestë të grave në Kabul të mërkurën.

Më pas, ata u dërguan në një stacion policie, ku thonë se u rrahën me shkopinj, kabllo elektrike dhe kamxhik. Disa orë më vonë, ata u lanë të lirë nga talibanët, pa asnjë shpjegim.

“Ata më çuan në një dhomë tjetër dhe më vunë prangat “, tha ai për BBC në Kabul. “Vendosa të mos mbrohem sepse mendova se do të më rrihnin edhe më keq, kështu që u shtriva në dysheme në një pozicion për të mbrojtur pjesën e përparme të trupit tim”.

“Tetë prej tyre erdhën dhe filluan të më rrahin … Duke përdorur shkopinj, – çfarëdo që kishin në duar”.

“Unë isha pa ndjenja pas kësaj kështu që ata ndaluan. Më çuan në një ndërtesë tjetër ku kishte qelitë dhe më lanë.”

Daryabi tha se kishte rënë pa ndjenja pas rrahjes dhe se pas rreth dy orësh ai ishte liruar.

“Unë mezi mund të ecja, por ata po na thoshin të ecnim shpejt. Kisha dhimbje shumë të mëdha.”

Nematullah Naqdi tha se luftëtarët talibanë ishin përpjekur t’i merrnin aparatin e tij sapo  filloi të merrte fotografi të protestës.

“Një nga talibanët më vuri këmbën në kokë, më shtypi fytyrën kah betoni. Ata më goditën me kokë … Mendova se do të më vrisnin”, tha Naqdi për agjencinë e lajmeve AFP.

Ai pyeti pse po e rrihnin, vetëm për t’i thënë: “Ju jeni me fat që nuk iu prenë kokat”.

CPJ, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, tha se të paktën 14 gazetarë ishin arrestuar dhe më pas ishin liruar gjatë dy ditëve të fundit, transmeton Klankosova.tv.

“Talibanët po dëshmojnë shpejt se premtimet e mëparshme për të lejuar mediat e pavarura të Afganistanit të vazhdojnë të veprojnë lirshëm dhe të sigurt, janë të pavlera,” tha Steven Butler, koordinator i programit të CPJ-së për Azinë.

“Ne i kërkojmë talibanëve të zbatojnë premtimet e mëparshme, të ndalojnë rrahjen dhe ndalimin e gazetarëve që bëjnë punën e tyre dhe t’i lejojnë mediat të punojnë lirshëm pa frikën e ndëshkimit”.

Shpërndaje në: