Flet avokati për vendimin për Haradinajn e Gucatin: Procesi është në përfundim e sipër

Flet avokati për vendimin për Haradinajn e Gucatin: Procesi është në përfundim e sipër

Skënder Musa, avokat i licencuar nga Gjykata Speciale, foli në lidhje me atë se kur pritet të merret vendimi nga kjo gjykatë, për Drejtuesit OVL- UÇK-së, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin.

Ai tha se ata po akuzohen edhe pse s’kanë pasur qasje në materialet e Dhomave të Specializuara të Prokurorisë Speciale.

“Mbrotja ka të drejtë që të mos e konsiderojë çështjen e mbyllur, pa pasur provat dhe materialet e mjaftueshme dhe është pothuajse e pamundur që mbrotja ta përgatisë mbrojtjen e të akuzuarit pa i pasur provat dhe materialet. Që nga fillimi i kësaj çështje penale dhe me ngritjen e aktakuzës, ka qenë non sens, sepse akuzohen dy persona që nuk kanë pasur asnjë qasje në materialet e Dhomave të Specializuara të Prokurorisë Speciale”, tha ai.

Musa në “Info Magazinë” në Klan Kosova, tha se informacionet kanë rrjedhur nga zyrtarët e Dhomave të Specializuara.

“Të gjitha ato informacione, prova e shkresa që kanë ardhur në Republikën e Kosovës, kanë rrjedhur nga zyrtarët e Dhomave të Specializuara, që në njëfarë forme ata nuk janë duke e gjykuar as hetuar kryerësinë e veprës penale, por janë duke i gjykuar viktimat në këtë rast, për shkak se materialet kanë rrjedhur nga zyrtarët e Prokurorisë Speciale dhe në këtë aspekt mbrojtja ka të drejtë t’i ketë të gjitha materialet, të gjitha provat, madje ka të drejtë të drejtojë informatë edhe personat që i kanë nxjerrë këto materiale dhe i kanë dërguar në Republikën e Kosovës, që mund të dyshohet se me qëllim e kanë bërë këtë gjë”, tha ai.

Avokati i licencuar nga Specialja tha se procesi i Haradinajt e Gucatit është në përfundim e sipër, përcjell Klankosova.tv.

“Me rastin e përfundimit të dëshmive e dëshmitarëve, pastaj vijnë provat materiale. Procesi është në përfundim e sipër, pastaj jepet mundësia për t’u përgatitur, për ta dhënë mbrojtjen e të akuzuarit dhe në fund mbrojtësit e tyre. Sa i përketë afateve kohore është e pamundur të flitet kur, por procesi është duke shkuar kah fundit. Ne nuk jemi në gjendje me e ditë agjendën e gjykatës, avokatëve e prokurorëve të Gjykatës Speciale”, u shpreh ai.

Shpërndaje në: