Flet edhe Ramiz Lladrovci
Kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci ka ftuar disa subjekte politike që të mos shpallin fitoren pa u takuar në “fushë të mejdanit”.
Në “fushë të mejdanit” duke aluduar në ditën e zgjedhjeve, ai ka thënë se duhet të dëshmohet fitorja, madje me rezultat bindës që sipas tij duhet të jetë ‘8 me 1’.
Lladrovci ka bërë këto komente në rrjetin e tij social “Facebook”, ku ka folur për angazhimin e birit të tij, Lapidarit, në skuadrën Trepça ’89, para disa muajve, që e ka vlerësuar si lajm të mirë për të.
E ku ka ironizuar me partitë politike që po shpallin fitoren në raport me koalicionin PDK-AAK-Nisma.
“Lajm i mirë për shumë arsye, mes tjerash, besoja fort se ky angazhim në fund të stinorit për dikë do të sillte befasi. Deri më tash, Lapidar Lladrovci, në fund të garave me shumë ekipe ka ngritur trofe. Kjo ka ngjarë edhe me këtë rast. Jam i lumtur për këtë. Këtë gëzim e kam ndarë në veçanti me “torcidën” dhe “minatorët”. I përgëzoj sinqerisht edhe udhëheqësit e klubit, edhe tifozët e jashtëzakonshëm. Unë habitem me disa që e shpallin fitoren në vendin që nuk është i destinuar për shpalljen e fitores. Fitorja duhet të dëshmohet dhe shihet në “fushë të mejdanit”, p.sh. 8 me 1!”, ka shkruar ai duke gjetur lidhshmëri të zgjedhjeve me lojën e futbollit.



