Flet Faik Fazliu: Eprori i policisë më kërcënoi tri herë në stacion, më tha “çka hamomi po lyp në Prizren”

Periskopi.com Lajme

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faik Fazliu, ka dhënë versionin e tij eksukuzivisht për Express sesi erdhi deri te arrestimi i tij mbrëmë në një kafiteri në Prizren. Fazliu mohon se ka kanosur zyrtarin policor, madje thotë se as nuk e ka shikuar. Ai shprehet i habitur se pse u arrestua. Gjithashtu thotë se është kërcënuar tri herë nga eprori i Policisë në Prizren me fjalët “çka hamomi po lyp në Prizren”, teksa ndodhej në stacionin policor.

Ai thotë se zyrtari policor është sjellur në mënyrë tendencioze ndaj tij.

“Faktikisht as vetë nuk di me shpjegu sesi ka ardhë deri te arrestimi, sepse absolutisht unë as fjalën më të vogël e as rastin më të vogël nuk ia kam jap zyrtarit policor që të sillet në atë mënyrë me mua. Kështu që e di se ai në mënyrë tendencioze është sjellë në atë mënyrë me mua, këtë e di. Këtë ja kam shpjegu edhe hetuesve edhe sigurisht e dinë sepse i kanë parë edhe video-incizimet, edhe prokuoria e ka pa që unë absolutisht s’kam pas të bëjë as me ndonjë kanosje as asgjë të tillë ndaj zyrtarit policor”, tha Faik Fazliu.

I pyetur nëse e njeh personalisht zyrtarin policor, ish-kreu i OVL UÇK-së thotë se nuk e njeh, por gjatë marrjen në pyetje e ka vërtetuar se zyrtarët policorë e njohin mirë atë.

“Unë nuk e njoh atë policin, as se di kush është, por kur më kanë dërgu në stacionin e policisë e kam vërtetuar që ata më njohin mua dhe njëri prej eprorëve komandant që ka qenë, epror i lartë në stacion të policisë bashkë me ata më kanë kërcënu, me fjalët se çka hamomi po lyp ti në Prizren, tri herë më ka kërcënu eprori Bujar Sahitaj. Aty e kam vërtetu që më njohin mua dhe po e dinë kush jam…Unë sja kam dhënë as rastin më të vogël, unë kam qenë në lokal me bashkëshorten time duke pirë, duke ndenjur për qejf dhe nuk ia kam dhënë as rastin më të vogël që të ketë sjellje të tilla”, tha më tej Fazliu.

“As vetë spo mundem me besu që ka ndodh një gjë e tillë”, u shpreh ai.

Ndryshe, sipas njoftimit të Policisë, Fazliu ishte arrestuar pasi kishte kanosur një zyrtar policor i cili ndodhej në detyrë zyrtare duke asistuar inspektorët e AUV-it në një kafiteri, lidhur me mosrespektimin e masave antiCovid19, por këtë e mohon ish-kreu i OVL UÇK-së.

“E mohoj se nuk është e vërtetë, jan incizimet dhe shihet shumë mirë në incizime, as që e kam shiku në mënyrë jo të mirë e lëre më ta kanos policin. Aty ka dëshmitarë dhe janë me dhjetëra dëshmitarë që mund ta dëshmojnë këtë”, shtoi ai.

Tutje, ai shtoi se për rastin e ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe shpreson se ndaj zyrtarëve policorë do të ndermerren masa.

“Unë e kam njoftu IPK-në, ata janë sjellë në mënyrë të vrazdhë dhe pasi kam shkuar në stacion më kanë kanos në zyrë ata eprorët, në forma të vrazhda. I kam njoftu Inspektoriatin dhe shpresoj që do të merren masa adekuate conform rregullave, sepse ata i kanë shfrytëzu uniformat dhe zyrat e policisë për të më kërcënuar dhe nuk e di arsyen pse mua një epror i policisë më kërcënon dhe më thotë “çka hamomi po lyp në Prizren”, tri herë më ka kërcënu”, tha Fazliu për Gazetën Express.

I pyetur, nëse ndihet i rrezikuar pas kërcënimeve të zyrtarëve policorë që pretendon se i ka marrë, ai tha “Nuk mund ta besoja që po ndodh një gjë e tillë dhe nuk kam nevojë të ndihem i rrezikuar sepse nuk i kam bërë keq askujt. Por po ndihem shumë i shqetësuar pse në uniformën e policisë mund të ketë njerëz që sillen në mënyrë të tillë dhe të paktën ta kisha ditë arsyen pse”.

Faik Fazliu, është liruar pas arrestimit, anipse mbrëmë prokurori kishte urdhëruar masën e ndalimit prej 48-orësh.

Fillimisht lajmin për lirimin e tij e bëri të ditur, kryetari i OVL UÇK-së Faton Klinaku, ndërsa detaje për Gazetën Express ka dhënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Lutfi Morina.

Sipas tij, Faik Fazliun, së pari është dëgjuar më pas për të është vlerësuar që nuk ka rrethana ta mbajnë më tutje në ndalim.

“Po është liruar e kanë dëgjuar të njëjtin dhe kanë vleresuar që nuk ka rrethana ta mbajnë më tutje në ndalim, dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, tha Morina për Express.

Tutje i pyetur sesi erdhi deri te ky vendim, pasi për të fillimisht u urdhërua masa e ndalimit prej 48-orësh, Morina tha “e kanë dëgjuar dhe është interesuar për rrethanat, janë sqaruar të gjitha dhe është parë që nuk është e nevojshme të qëndrojë në ndalim”.

Ndaj Fazliut është iniciuar rasti “Kanosje ndaj personit zyrtar”.

Ndërkaq edhe bashkëshortja e tij, Alketa Gashi-Fazliu, ka deklaruar për Express se policët e kanë rrëzuar përtokë Faikun, për të cilin thotë se nuk ka pasur asnjë reagim ndaj tyre.

Ndërsa, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim preliminar ndaj zyrtarëve policorë, në rastin e arrestimit të ish-kreut të OVL UÇK-së, Faik Fazliu.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar një hetim preliminar bazuar në autorizimet ligjore të saj”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Shpërndaje në: