Flet kryeprokurori për hetimet ndaj abuzimit të 16 vjeçares: E mitura nuk solli asnjë fakt për dhunimin e saj

Flet kryeprokurori për hetimet ndaj abuzimit të 16 vjeçares: E mitura nuk solli asnjë fakt për dhunimin e saj

Rasti i 16 vjeçares nga Drenasi, e cila fillimisht dyshohet se ishte abuzuar seksualisht nga arsimtari Sh.Xh, e pastaj edhe ishte keqpërdorur seksualisht për një vit nga polici V.V, ngjalli debat dhe u përfol shumë.

E mitura që fillimisht kishte shkuar të raportoj në polici se arsimtari po e ngacmonte, ra pre e policit, i cili për një vit vazhdimisht dyshohet se kreu marrëdhënie me të duke e shantazhuar dhe kërcënuar, deri në momentin kur ajo mbeti shtatzënë, shkruan Indeksonline.

Institucionet përkatëse reaguan menjëherë, pasi polici u dërgua në mbajtje për 48 orë, derisa arsimtari u suspendua nga puna.

Mirëpo, pas raportimit në polici për keqpërdorim para dy vitesh, drejtoria e Arsimit në Komunën e Drenasit e kishte suspenduar nga puna Sh.Xh më 20 shtator të 2017, por që ishte kthyer prapë në shkollë, pasi Prokuroria pushoi hetimet ndaj tij dhe vajza tërhoqi deklaratën.

Por, pse u pushuan hetimet dhe vajza e tërhoqi atë që tha në polici?

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka në një prononcim për Indeksoline ka dhënë detaje për rastin në fjalë.
Sipas tij, hetimet ndaj arsimtarit u pushuan, pasi nxënësja atë kohë nuk kishte dërguar ndonjë fakt për t’i vazhduar ato.
“Sot e kam shikuar rastin dhe Prokuroria e ka pushuar hetimin sepse e dëmtuara gjatë hetimeve nuk e ka sjell asnjë fakt, si dhe nuk e ka pranuar në asnjë rrethanë shkakun për të cilin ka filluar hetimi”, ka thënë Beka.

Ai bëri të ditur se kur nxënësja doli para prokurores për të mitur, nuk deshi të flas për rastin që e kishte raportuar në polici.
“Para prokurores për të mitur, ajo e ka mohuar deklaratën e dhënë në polici. Nesër do të shikojmë prapë arsyetimet e prokurores për pushimin e hetimeve”, ka përfunduar Beka.

Kujtojmë se e mitura ka bërë të ditur se pasi polici kuptoi që ajo ishte shtatzënë, e ka detyruar të shkoj në një ordinancë private në Prishtinë dhe të kryej abort pa dëshirën e saj.

Gjinekologu që kreu abortin ka thënë se nuk e dinte që e mitura kishte marr vendim të bëj një gjë të tillë, duke qenë e detyruar nga babai i foshnjës.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se ditën kur vajza shkoi të kryej abortin, ishte vetëm në ordinancë (pa shoqërinë e ndokujt), si dhe nuk ishte e moshës së mitur./Indeksonline/

Shpërndaje në: