FMN kërkon të mos premtohet rritje e pagave
Përfaqësuesi Rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen muajin e ardhshëm ka kërkuar maturi në zotimet fiskale.
“Tani, është e rëndësishme që të sigurohen veprime të fuqishme të politikave, duke përfshirë disiplinë fiskale, meqë ato janë thelbësore për të përshpejtuar konvergjencën e të ardhurave dhe për të trajtuar papunësinë e lartë në vend. Të gjitha zotimet fiskale dhe veprimet përkatëse duhet të jenë në përputhje me rregullën fiskale dhe ligjin për pagat e sektorit publik”, ka thënë Vermeulen.
Lidhur me statusin e programit të mbështetur nga Fondi, duke pasur parasysh zgjedhjet e përgjithshme të paralajmëruara për muajin e ardhshëm, ai ka thënë se Fondi vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e Kosovës gjatë mandatit të tij, si dhe është i gatshëm të angazhohet me qeverinë e re pas zgjedhjeve.
“Gjatë dy viteve të kaluara, objektivat e përgjithshme të programit kanë qenë përmirësimi i situatës fiskale, ruajtja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve për rritje të qëndrueshme”, ka thënë Vermeulen. /Gazeta Fjala/



