Fol: Ministria e Mjedisit ka performancën më të ulët në realizimin e planit vjetor

Fol: Ministria e Mjedisit ka performancën më të ulët në realizimin e planit vjetor

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka përqindjen më të vogël të realizimit të planit vjetor të punës. Gjatë vitit të kaluar, kjo ministri ka arritur të realizojë vetëm 28 për qind të aktiviteteve. Ndërkaq, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka arritur të realizojë 100 përqind planin vjetor prej periudhës mars deri në dhjetor 2021.

Në prezantimin e nivelit të përmbushjes së Planit të Punës së Qeverisë së Kosovës për vitin 2021 nga Lëvizja Fol dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), u tha se në tërësi Qeveria Kurti ka arritur të realizojë 56 përqind të planit të vitit të kaluar.

Koordinatori i projektit në Lëvizjen Fol, Erblin Hoxha tha se të gjitha ministritë vitin e kaluar kanë paraparë mbi 700 aktivitete.

“Nga të gjitha aktivitetet që i ka paraparë qeveria dhe qeveritë, pra në total kanë qenë gjithsejtë 764 aktivitete të parapara në këtë periudhë, prej të cilave 428 aktivitete janë realizuar, kurse 336 nuk i ka realizuar. Nëse këtë e përkthejmë në shifra dhe statistika atëherë del që Qeveria e Kosovës bashkë me të gjitha ministritë ka realizuar 56 përqind të planit të punës për vitin 2021 dhe 44 përqind të aktiviteteve nuk janë të realizuara. Disa prej tyre janë edhe në proces, por gjithsesi të kategorizuara si jo të realizuara”, ka thënë Hoxha.

Në bazë të këtij raporti, Zyra e Kryeministrit ka përfunduar në total 52 përqind të aktiviteteve, ku 77 aktivitete nuk janë përfunduar, ndërkaq 40 aktivitete i ka realizuar.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në kuadër të 13 objektivave, kjo ministri ka paraparë të përfundojë 76 aktivitete në periudhën mars-dhjetor 2021, prej të cilave 22 i ka realizuar dhe 54 nuk i ka realizuar. Në përqindje kjo del ministri me performancën më të ulët, ku përafërsisht 29 përqind, ose 28.9 përqind i ka të realizuar, kurse 71 përqind nuk i ka të realizuar”, ka shtuar ai.

Ka ministri, e cila ka realizuar 100 përqind të planit të punës.

“Ministria e vetme që ka 100 përqind të aktiviteteve të realizuara është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Në kuadër të katër objektivave janë paraparë gjithsej 11 aktivitete për periudhën mars-dhjetor 2021 dhe është ministria e vetme që ka 100 përqind të aktiviteteve të realizuara në kuadër të periudhës së njëjtë”, njoftoi Hoxha.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka arritur të realizojë 36,5 të aktiviteteve të realizuara. Për këtë ka reaguar Rexhep Vasolli nga kjo ministri, i cili tha se ky dikaster ka pasur volum më të madh të aktiviteteve krahasuar me të tjerat.

Vasolli: A jeni në dijeni që Ministria e Financave ka plan vjetor të punës të vetin.
Hoxha: Zyrtare është kjo, nëse ka diçka tjetër dhe nuk është publike është shqetësim shumë më i madh se çfarë kemi bërë ne.
Vasolli: Mos u shqetëso, mos u lësho në paragjykime, shiko në ueb-faqe edhe planin e punës edhe të ministrisë. Edhe i ki zyrtare të zbatimit.

Po ashtu, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka numër të madh të aktiviteteve të zhvilluara, ku 94.3 përqind e planit të punës është realizuar. Edhe Ministria e Mbrojtjes shënon numër të madh të aktiviteteve të realizuara, ku 88 përqind e planit të punës ka përfunduar.

Ndërkaq, përqindje më të vogël ka Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ka arritur të realizojë vetëm 35 përqind të planit të punës.

Shpërndaje në: