Fondi sekret i Qeverisë për ushtrinë, ende pa Komision Mbikëqyrës – Nga opozita paralajmërohet Komision Hetimor

Fondi sekret i Qeverisë për ushtrinë, ende pa Komision Mbikëqyrës – Nga opozita paralajmërohet Komision Hetimor

Fondi i Sigurisë së Kosovës vazhdon të mbetet krejt i fshehur nga Qeveria Kurti. Nuk dihet as sa pare janë mbledhur, as kush po jep e as sa po jep për ta forcuar ushtrinë e vendit. Duke parë këtë situatë, u  pat planifikuar të propozohet Komision Mbikëqyrës Parlamentar, në formë të ngritjes së transparencës, por diçka e tillë as nuk ka hyrë në rend dite. Si rezultat, nga opozita paralajmërojnë Komision Hetimor në të ardhmen…

Qysh në fillim, prej Qeverisë kishin thënë se shuma e donacioneve do të mbahet sekret, shkak siguria kombëtare. Përtej kësaj, kryeministri Albin Kurti sikur ishte fryer me  shifra të përgjithshme, por jo konkrete.

“Deri më tani në Fondin e Sigurisë janë grumbulluar para me numër shtatëshifrorë e donatorë të cilët kanë dhënë para janë në numër katërshifrorë”, ishte kjo përgjigja e Kurtit.

Tashmë  kanë kaluar  5 muaj  nga krijimi i fondit ku secili qytetar apo person fizik e juridik mund të ofrojë mjete vetanake si kontribut në forcimin e ushtrisë. Por sikur ka mbetur në mjegull dhe krejt jotransparente, pa u ditur nga publiku se ku e si do të destinohen.

Anëtari i Komisionit të Kuvendit për Siguri, Hisen Berisha ka treguar për Periskopin se plani për krijimin e një Komisioni Mbikëqyrës Parlamentar u ka rënë në ujë pas një vendimi të Qeverisë që të mos bëhet e ditur asgjë rreth fondit.

‘’ Ka qenë ideja për një funksion të tillë, por se di sa jeni të informuar, më vonë qeveria ka dalë me një vendim për të na bërë të pamundshme të dijmë as sasinë e pareve të grumbulluara as prej nga vijnë ato mjete dhe as se ku destinohen. Ky vendim ka qenë publik dhe tash ky fond është tërësisht i errët dhe unë besoj që partnerët tanë, por edhe partnerët amerikanë  që mbështesin procesin e tranzicionit nuk do të mbështesin idenë që paratë e paidentifikuara të futen në forcë sepse do të jetë komprometim dhe do të dëmtohet shumë imazhi i forcës dhe i Kosovës në rrugëitmin e ardhshëm dhe konsolidimit’’, ka thënë ai për Periskopin.

‘’Propozimi jonë menjëherë është abstrahuar sepse çka do të mbikëqyrë ai komision kur ka vendim të qeverisë se fondi s’do të jetë më publik e transparent dhe s’do të jetë e mundur të dihet asgjë.’’, shtoi ai.

Tutje deputeti i PDK’së paralajmëron që në të ardhmen do të inicojnë Komision Hetimor për këtë shkak.

‘’S’ka llogaridhënie, s’ka përgjegjësi, menjëherë është abuzim dhe është i dyshimtë. Mbase në këtë periudhë kohore ne kemi shumë gjëra tjera me të cilat po merremi por në një të ardhme detyrimisht që do të iniciojmë komision hetimor edhe ky do t’i nënshtrohet Kuvendit, sepse të gjitha insititucionet tjera do t’i nënshtrohen përndryshe do të kemi anarki dhe diktaturë prej një diktatori që vepron në shtet ashtu siç dëshiron ai dhe krijon vendime e ligje siç mendon pa u bazuar në Kushtetutë.’’, ka theksuar Berisha.

Ai vazhdon ta cilësojë si fond ilegal dhe abuzim me vullnetin e mërgatës e qytetarëve të tjerë.

‘’Unë e di se kjo ka qenë një lloj abuzimi me vullnetin e mërgatës dhe në përgjithësi të shqiptarëve që ta mbëshesin forcën dhe të gjithë kanë vrapuar që ta mbështesin këtë fond mirëpo fakti që këto mjete mund të destinohen edhe tjetër kund, atëherë do të jetë zhgënjyese për qytetarët. Askush nuk e di. Ne kemi pyetur edhe në seancë parlamentare, por definitivisht nuk dihet.’’

Ndërsa kryetari i Komisionit të Kuvendit për Siguri, Bekë Berisha është shprehur për Periskopin me mendim ndryshe prej Berishës së PDK’së. Ai beson që do të mbërrijnë mirëkuptim dhe do ta bëjnë atë Komision Mbikëqyrës.

‘’Ashtu ka qenë plani. Kërkesat kanë ndodh prej një pjese të opozitës, jo prej neve,  për me pasë mbikëqyrje edhe më shumë transparencë. Nuk e kemi trajtu ende, do ta trajtojmë edhe besoj do të mbërrijmë mirëkuptim e do ta bëjmë.’’, tha ai për Periskopin.

Berisha thotë se s’ka nevojë për Komision Hetimor.

‘Hetimor s’ma merr mendja se nuk ka ndonjë indikacion që ka pasë ndonjë keqpërdorim.’’, shtoi ai.

E një inciativë të tillë e cila deri tash nuk ka hyrë në rend dite,  përmes një deklarate për Periskopin, e kishte mbështetur ish komandati i FSK’së, Kadri Kastrati.

‘’Mendoj që pozitë e opozitë ish dashtë me kontrollu edhe sa mjete janë tubu  por edhe sa shpenzohen e si shpenzohen nga ai fond. Sepse nëse veç pozita e kontrollon atë fond, lind dyshimi se ai fond mund të keqpërdoret për çështje tjera’’, kishte thënë Kastrati.

Periskopi në maj të këtij viti pati raportuar  përmes burimeve të veta se nga koha e krijimit të fondit e deri në atë periudhë, nuk ishin grumbulluar as 2 milionë euro në total. Dhe kjo besohet të jetë arsyeja pse nuk po bëhet publike shuma e saktë e mjeteve, pasi mund të shihet si dështim.

Kujtojmë që Kosova për këtë vit ka ndarë 100 milionë euro për ushtrinë nga buxheti i saj. Më herët, kjo shumë ishte rreth 60 milionë. Ndërsa, në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se shuma e ndarë për ushtrinë përbën 1,3 për qind të Bruto-Produktit Vendor./PERISKOPI/

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: