Fotoja e makinës nga ku u qëlluan Briland Martinaj, Besmir Hoxha e Diklen Vata. Erdhi nga Kosova

Fotoja e makinës nga ku u qëlluan Briland Martinaj, Besmir Hoxha e Diklen Vata. Erdhi nga Kosova

Policia kriminale ka identifikuar fotografinë e automjetit të përdorur në atentatin e një muaji më parë në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë Briland Martinaj dhe dy shokët e tij. Makina rezulton se ka hyrë në Shqipëri nga Kosova dhe është pajisur me targa të një mjeti tjetër të vjedhur. Krerët e policisë kanë hartuar edhe një listë personash që duhet të merren në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Ora News” zbulon imazhin e automjetit tip “Passat”, i cili u përdor nga grupi i vrasësve me pagesë, për të kryer ekzekutimin mafioz të 23-vjeçarit, Brilant Martinaj, dhe dy shokëve të tij, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata, më 17 korrik 2022.

Nga analizimi i pamjeve filmike të sekuestruara nga policia e kriminale besohet shumë se me këtë mjet kanë lëvizur 4 persona të armatosur për të kryer vrasjen

“Ora News” mëson se makina e kapur nga kamerat filmike të bizneseve, ka qarkulluar në zonë, me targën “AA 156 OR”, dhe në këtë imazh besohet se është në momentin e largimit nga vendi i ngjarjes

Çfarë kapën kamerat e sigurisë

Imazhet e saj të nxjerra nga kamerat e sigurisë, janë krahasuar me imazhin e automjetit të djegur pas atentatit dhe ka rezultuar se makina është e njëjtë, por autorët janë kujdesur të mos lenë asnjë gjurmë në të, duke i vënë zjarrin dhe shkrumbuar çdo provë të mundshme së bashku me armët.

Prej këtej autorët janë larguar me një automjet të dytë, duke mos lënë asnjë gjurmë.

Njëherësh mjetit, sipas policisë i është fshirë numri i shasisë, duke sjellë një vështirësi serioze, për identifikimin e pronarit të tij.

Ekskluzive/ Fotoja e makinës nga ku u qëlluan Briland Martinaj, Besmir

Ne foto: Makina e fiskuar nga kamerat e sigurise

Makina nga Kosova, targa e vjedhur 

Sipas verifikimeve të kryera makina ka hyrë në territorin e Shqipërisë nga Kosova, duke përdorur pikën kufitare të Morinit dhe policia po punon, se kush janë njerëzit që kanë futur këtë makinë në Shqipëri.

Njëherësh është zbuluar, se mjetit i janë vendosur targat “AA 156 OR” që i përkasin një makine tip “Daimler Chraisler” në emër të shtetasit me inicialet, A.L.

Targat rezultojnë të denoncuara si të vjedhura në policinë e Tiranës gati 1 vit më parë.

Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi, policia e lidh ngjarjen e vrasjes së trefishtë me një plagosje të ndodhur në Milot dhe vrasjen e Xhelal Reçit në Laç. Ky i fundit kishte lidhje krushqie me Indrit Doklen një personazh i dënuar me burgim të përjetshëm dhe aktualisht është i lirë dhe në shërbim prove.

Nisur nga kjo situatë është kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, marrja në pyetje e Indrit Dokles, Alesio Dobruzit, Rohan Brahimit alias Prendi, Ramazan Rrajës, nipi i deputetit të PS, Rrahman Rraja, Fatjon Murati, Gentian Reçi, nipi i ish-policit Xhelal Reçi dhe kunati i Indrit Dokles.

Ekskluzive/ Fotoja e makinës nga ku u qëlluan Briland Martinaj, Besmir

Ne foto: Makina e djegur qe u gjet pas atentatit

Ndaj këtyre personave me urdhër të prokurorisë, është vendosur një masë ndalimi në sistemin kufitar “Tims”.

Deri në këto moment ku ndodhet hetimi, kjo është silueta e vetme e makinës së dyshuar e autorëve, ndërsa policia dhe prokuroria, kërkojnë në këtë ngjarje, ndihmën e çdo qytetari që të bashkëpunojë me policinë, dhe çdo e dhënë e saktë do shpërblehet kundrejt një çmimi prej 30 milion lekë të vjetra.

Besmiri, Brilanti dhe Dikleni, viktimat e atentatit 

Masakra e 17 korrikut 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës ku u ekzekutuan në makinë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata tronditi opinionin publik në vend.  Trupat e Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxhës u dogjën në makinë ndërsa Diklen Vata arriti të dilte nga makina por u qëllua nga ekzekutorët pak metra më tutje.

I vetmi nga tre personat që ishte i dënuar në makinën e sulmuar me armë, ishtë Diklen Vata, të cilin gjykata e Tiranës e kishte shpallur fajtor, për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Ndërsa Besmir Hoxha, nuk kishte asnjë çështje të rregjistruar në prokurori apo të ishte i skeduar nga policia. Edhe Briland Martinaj, sipas prokurorisë rezultonte i hetuar vetëm për vrasjen e policit të FNSH, Xhulio Prela (Dhjetor 2020) por çështja u pushua dhe për vrasjen u arrestuan Redion dhe Sokol Hysa.

Ndërsa burime pranë prokurorisë së Laçit dhe policisë së Lezhës, thonë se për ngjarjen e vrasjes së Xhelal Reçit ndodhur në vitin 2021, Briland Martinaj, nuk ka qënë asnjëherë i dyshuar dhe për këtë ngjarje ai nuk është marë asnjëherë në pyetje.

 

Shpërndaje në: