Franca fiton Kupën e Botës, kroatët nuk arrijnë që të shkruajnë historinë (Video)

Franca fiton Kupën e Botës, kroatët nuk arrijnë që të shkruajnë historinë (Video)

Franca është kampione e botës pasi në finale mposhti Kroacinë me rezultat 4-2

Në Luzhniki të Moskës u zhvillua njëra nga finalet më interesante të Kupës së Botës ku në fund Franca triumfoi me rezultat 4-2 ndaj Kroacisë, raporton Periskopi.

Kroacia e nisi shumë mirë takimin duke dominuar ndeshjen, por në minutën e 19-të Mandzukic shënoi autogol dhe Franca kalon në epërsi.

Kroatët u kundërpërgjigjën shpejtë duke barazuar me anë të Ivan Perisic, i cili shënoi gol të bukur në minutën e 28-të për të barazuar shifrat në 1-1.

Në minutën e 36-të Perisic luan me dorë në zonën e 16 metërshit dhe gjyqtari Pitana akordon penallti pas konsultimit me VAR.

Griezmann nuk gabon nga pika e bardhë dhe Franca rikthen epërsinë në minutën e 38-të.

Pjesa e dytë dhuroi edhe tri gola tjerë dhe lojë shumë të bukur nga kroatët që dominuan, por fati nuk ishte në anën e tyre.

Pogba në minutën e 59-të shënoi golin e tretë për francezët, ndërsa Mbappe në minutën e 65-të realizoi për 4-1.

Kroacia u kundërpërgjigjë me anë të Mandzukic, i cili shënoi pas një gabimi amatoresk të portierit Lloris për rezultatin përfundimtar 4-2.

Kështu Franca shpallet kampione e botës për herë të dytë në histori. /Periskopi/

Shpërndaje në: