Franca nis hetime ndaj ish-ministres së Shëndetësisë shkaku i pandemisë

Franca nis hetime ndaj ish-ministres së Shëndetësisë shkaku i pandemisë

Ish-ministrja franceze e Shëndetësisë, Agnes Buzyn, është duke u hetuar rreth menaxhimit të pandemisë.

Prokurorët thanë se Buzyn po hetohet për rrezikimin e jetës së të tjerëve, pasi ishte larguar nga posti i lartë në shkurt të vitit 2020 për të garuar për kryetare të Parisit, qëllim që nuk e arriti.

Një gjykatë e posaçme do të vendosë nëse ish-ministrja do të ndiqet penalisht. Ky është një ndër rastet e para në botë që një ministër ose ministrje mbahet përgjegjëse para ligjit për menaxhimin e pandemisë.

Gjatë një seance të mbajtur të premten, Buzyn tha se e mirëpret mundësinë për t’u sqaruar dhe për ta vendosur të vërtetën. Ajo shtoi se nuk do të lejojë që veprimet e saj ose të qeverisë të diskreditohen, pasi, sipas saj, është bërë shumë punë për ta përgatitur vendin për krizën shëndetësore globale.

Buzyn ishte emëruar ministre e Shëndetësisë në maj të vitit 2017 dhe kishte dhënë dorëheqje vetëm disa javë pas konfirmimit të rasteve të para me Covid-19 në Francë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Vitin e kaluar, ajo e humbi garën për kryetare të kryeqytetit francez, sepse këtë post e fitoi zonja Anne Hidalgo. Ish-ministrja dhe ish-mjekja më pas iu bashkua kabinetit të drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në janar të këtij viti.

Gjykata po i hulumton akuzat për neglizhencë rreth sigurimit të pajisjeve mbrojtëse për stafin shëndetësor dhe paqartësisë gjatë lëshimit të këshillave rreth përdorimit të maskave.

Ndryshe, Franca e ka themeluar Gjykatën e Drejtësisë së Republikës në vitin 1993 për t’i hetuar ministrat qeveritarë që akuzohen për shkelje. Kjo gjykatë tash po merret edhe me rastin e ish-ministres Buzyn.

Shpërndaje në: