Fundi i njerëzisë në Aleppo

Fundi i njerëzisë në Aleppo

 

Teksa dora i dridhej, ndërsa po i xhironte ato që beson të jenë fjalët e saj të fundit, vajza i kërkon botës veprim sa më të shpejtë për të shpëtuar popullin e saj që po masakrohet në duart e forcave të presidentit Bashar al-Assad.

Në ditën kur këto forca e morën përfundimisht nën kontroll gjithë Halepin, pasi kryengritësit u pajtuan të largohen nga qyteti në kuadër të një marrëveshjeje armëpushimi, bota virtuale u vërshua nga mesazhe të ngjashme lamtumire të halepasve, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Halepi po e jep frymën e fundit”. “Masakrat po transmetohen live në mediat sociale. Nuk mund të themi se nuk e kemi ditur”, janë vetëm disa nga mesazhet e postuara këtë të martë në “Twitter”.

“Pse kjo heshtje? Njerëzit po eliminohen”, ka shkruar Abdulkafi Alhamdo, një aktivist në Halep dhe mësues i anglishtes, për të vazhduar: “Ky është mesazhi i fundit. Faleminderit për të gjitha. Kemi ndarë shumë momente bashkë. Është ky një mesazh nga një baba i emocionuar. Lamtumirë #Aleppo”.

Këta qytetarë të thjeshtë bënë që me anë të fotografive dhe videove të postuara, bota ta shohë mjerimin nëpër të cilin po kalon një popull. Fëmijë të përgjakur e të përlotur, pleq të mbuluar nga pluhuri i ndërtesave të rrënuara prej bombave, prindër që përqafojnë fëmijët e tyre tanimë të pajetë, karvanë njerëzish që ikin drejt së panjohurës. Këto fotografi që u përhapën me shpejtësi nëpër rrjetet sociale – Facebook e Twitter – përlotën botën.

Shpërndaje në: