“Gabim teknik” – Ministria e udhëhequr nga Nagavci, e punësoi nënën e këshilltares së saj pa e pyetur fare

“Gabim teknik” – Ministria e udhëhequr nga Nagavci, e punësoi nënën e këshilltares së saj pa e pyetur fare

Gjatë ditës së sotme, Periskopi raportoi për një emërim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e udhëhequr nga ministrja Arbërie Nagavci. Në Këshillin drejtues të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” u emërua si anëtare, Valbona Puka-Gola nëna e këshilltares së ministres Nagavci, Arrita Gola.

Pas publikimit të Periskopit, ka reaguar vetë znj. Puka-Gola, ku ka deklaruar se “ky është një gabim teknik për të cilën unë nuk jam e informuar”.

“Ai është një gabim teknik për të cilën unë nuk jam e informuar. Unë kam reaguar menjëherë, unë nuk kam pranuar një propozim të tillë, nuk më është ofruar një propozim i tillë, nuk kam pranuar asnjë informatë në lidhje me këtë. Nuk është asnjë komunikim zyrtar. Është një gabim teknik nga Ministria e Arsimit. Ku punon vajza ime, çka punon vajza ime është diçka tjetër. Vetë fakti që nuk kam pranu asnjë informatë me shkrim, jo veç informatë që jam emëruar, por as propozim, mua asnjëherë nuk më është dhënë për një çështje të tillë”, tha znj. Puka-Gola, për Periskopin.

Më poshtë keni vendimin e siguruar nga Periskopi, ku thuhet se MASHTI ka emëruar, Valbona Puka-Gola, si anëtare në Këshillin drejtues të Univeristetit Publik të Gjakovës “Fehmi Agani”.

Arrita Gola, këshilltare në kabinetin e ministres Nagavci, së bashku me nënën e saj, Valbona Puka-Gola

Kujtojmë se kryeministri Kurti ishte “zë i fuqishëm” ndaj nepotizmit, saqë dikur deklaronte se fisi është për dasma e jo për ministri.

“Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat, s’ka dasma nëpër ministria”, kështu kishte thënë Albin Kurti në njërin nga tubimet e tij elektorale, teksa ishte kandidat për kryeministër. Megjithatë, me marrjen e pushtetit, u bënë edhe shumë emërime të të afërme të funksionarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje./Enis Rrustemi – Periskopi/

Vazhdon nepotizmi në Qeverinë Kurti: Nagavci e “rehaton” nënën e këshilltares së saj në Këshillin drejtues të Universitetit të Gjakovës

 

Shpërndaje në: