Gani Geci para Gjykatës: Mendoj që faji im është pse jam gjallë

Gani Geci para Gjykatës: Mendoj që faji im është pse jam gjallë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, i cili nga Gjykata Themelore në Mitrovicë është shpallur fajtor lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014, në seancën e së enjtes para Gjykatës së Apelit, tha se faji i tij i vetëm është se është gjallë dhe se është gjallë ngase e ka mbrojtur veten.

“Unë mendoj që faji im është pse jam gjallë, unë jam gjallë pse e kam mbrojtë veten, domethënë mbetem në tërësi pranë ankesave të avokatit tim, pranë ankesës time që e kam bo dhe kundër ankesës së prokurorit të Prokurorisë Themelore. Unë mendoj që rasti im ka pasur të bëjë me mbrojtjen e nevojshme. Në Kodin Penal është edhe neni 12, paragrafi 4, mbrojtja e nevojshme në një tronditje të fortë mendore”, tha Gecaj.

I njëjti kërkoi nga trupi gjykues që t’i ketë parasysh ankesat e tij dhe mbrojtjes, sepse pretendon se janë të drejta.

“Do të thotë, të gjitha ato që më kanë ndodhë mua, sikur të ju ndodhte edhe juve gjyqtar, vështirë se do të bënit ballë ose do të duhet të përfundoja unë në Shtime ose të përfundoja këtu ku jam. Jam këtu, faleminderit Zotit që jam këtu dhe i lutem trupit gjykues që t’i ketë parasysh ankesat tona se janë të drejta”, shtoi Gecaj.

Apeli shqyrton ankesat në rastin ku Gani Geci u shpall fajtor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Shpërndaje në: