Gara e ashpër në Gjakovë: Gjini flet për mundësinë e koalicioneve në balotazh

Gara e ashpër në Gjakovë: Gjini flet për mundësinë e koalicioneve në balotazh

E diela e 17 tetorit, ishte dita kur qytetarët e Kosovës vendosën për të parin e komunave të tyre.

E jo të gjitha komunat arritën të zgjedhin kryetarin e tyre qysh në raundin e parë.

17 komuna zgjodhën kryetarin e tyre, ndërsa në 21 komuna të tjera qytetarëve i’u duhet të dalin edhe një herë në zgjedhje të raundit të dytë.

Në mesin e komunave që votojnë në raundin e dytë është edhe Komuna e Gjakovës.

Në këtë komunë, i pari që iu afrua fitores ishte kandidati i AAK-së, Ardian Gjini me 46,00 përqind, duke shkuar në balotazh me kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me 37,08 përqind të votave.

Këta dy kandidatë, lanë pas kandidatët e tjerë, nga PDK, Arbëresha Kuqi me 3,39 për qind, atë të LDK-së, me 5,60 për qind, Ferdinand Kolaj nga PSHDK me 6,64 për qind, dhe Fazli Hoxha nga NISMA me 1,29 për qind.

Lidhur me këtë, Lajmi.net ka kontaktuar kandidatin nga AAK-së për komunën e Gjakovës, Ardian Gjini, lidhur me mundësinë për ndonjë koalicion me ndonjërën nga partitë e mundshme për zgjedhjet në raundin e dytë.

Sipas Gjinit, është herët të diskutohet për ndonjë koalicion, por që ai sqaroi se është duke punuar drejt kësaj çështje.

“Jemi duke punu në këtë drejtim, është ende herët”, tha shkurt Gjini.

Ndërkohë zgjedhjet e raundit të dytë pritet të mbahen me 14 nëntor.

Në zgjedhjet e 17 tetorit pati një përqindje prej 45% të qytetarëve të cilët zgjodhën të votonin për përfaqësuesit e tyre komunal.

Shpërndaje në: