Gashi: Të huajt dështuan në Kosovë, Shqipëria të mos i pranojë

Gashi: Të huajt dështuan në Kosovë, Shqipëria të mos i pranojë

Avokati nga Kosova Tomë Gashi, duke komentuar për “Shekullin” rolin e ndërkombëtarëve në procesin e reformës në drejtësi në Shqipëri sjell shembullin e Kosovës, ku thotë se panelet drejtuese të kryesuara nga të huajt, edhe pse kanë emëruar prokurorët dhe gjyqtarët që nga 2008, nuk e kanë zgjidhur problemin e drejtësisë. Nisur nga përvoja në Kosovë, Gashi thotë se drejtësia në Shqipëri nuk duhet të lihej që të “drejtohet” nga ndërkombëtarët. “Të huajt nuk kanë pse përzihen në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ngase një shtet sovran nuk duhet ta lejojë këtë.

Nëse dikush mendon ndryshe, atëherë t’i propozojmë edhe shteteve të tjera që ne t’i dërgojmë panele nga Kosova dhe Shqipëria që të bëjnë përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Angli, në SHBA, Gjermani apo kudo tjetër në shtetet demokratike”, nënvizon Gashi. Ai është i mendimit se korrupsioni dhe krimi janë të plotfuqishëm në Kosovë, ndërsa proceset gjyqësore janë zvarritur pafund pikërisht për shkak të tyre. Kompetencat që kanë pasur dhe kanë ndërkombëtarët në Kosovë nuk e ka zgjidhur problemin e drejtësisë, madje ai thotë se vetëm sa e kanë thelluar. Nëse mendohej se ka prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, ata sipas tij mund të identifikoheshin nga drejtësia shqiptare dhe jo nga të huajt.

Zot Gashi, a mund të na përshkruani rolin që kanë pasur ndërkombëtarët në procesin e drejtësisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Nga fundi i vitit 1999 deri në vitin 2008 në Kosovë ka qenë misioni i Kombeve të Bashkuara i quajtur UNMIK, i cili kishte kontroll mbi të gjitha institucionet, duke përfshirë dhe ato të drejtësisë. Pas 2008-ës të gjitha reformat e sistemit të drejtësisë janë bërë nga ndërkombëtarët. Në fillim janë mirëpritur nga janë parë si shpëtim për funksionimin e drejtësisë. Gjithkund në trojet shqiptare proceset kanë ecur me shtysën e ndërkombëtarëve dhe është krijuar përshtypja ndër shqiptarë se pa praninë e të huajve ne nuk mund të bëjmë reforma rrënjësore. Kjo vlen për cilëndo fushë të jetës shoqërore. Ne në vazhdimësi kemi një varësi dhe një besim të pashpjeguar për ndërkombëtarët. I kemi besuar atyre që të na zgjidhin të gjitha çështjet madhore. Por ajo që është shumë relevante në sistemin juridik është se ajo i afekton të gjitha fushat e tjera, pra prek të gjithë hallkat e shoqërisë. Drejtësia është alfa dhe omega e funksionimit të shtetit dhe ajo që ka ndodhur në Kosovë mund të ndodhë dhe në Shqipëri.

Ndërkombëtarët kanë zgjedhur në Kosovë gjyqtarët dhe prokurorët. Si ka rezultuar sipas jush?

Përzgjedhja dhe emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është bërë nga panelet e caktuara nga ndërkombëtarët dhe vendorët. Këto panele të përbërë kryesisht nga ndërkombëtarët kanë vënë në krye të drejtësisë së Kosovës persona të zgjedhur sipas preferencave personale të tyre, të ndikuar dhe nga partitë politike. Ka munguar testimi profesional, pasi janë lënë jashtë seleksionimit profesionistët me përvojë. Pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë ngritur në pozita më të larta, kanë qenë të lidhur me sistemin e mëhershëm të Serbisë dhe avancimi i tyre në pozita të larta ka ardhur për shkak të besimit që i kanë dhënë ndërkombëtarët, duke u nisur nga ideja se kanë përvojë në sistemin e drejtësisë.

Në Kosovë ndërkombëtarët kanë eksperimentuar dhe prandaj nuk ka dhënë kurrfarë rezultati. Performanca e tyre ka rezultuar zhgënjyese dhe Kosova ka probleme të mëdha. Ata janë zgjedhur gjoja për t’i shpallur luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar. A e kanë luftuar krimin dhe korrupsionin ? Përgjigjen e gjejmë te vendimet e tyre. Për shtatë vjet vendimet e tyre kanë qenë shumë të pakta dhe shumë prej tyre lënë shumë për të dëshiruar. Ato vendime kanë pasur shumë kontestime dhe nuk mund të merren në asnjë mënyrë si model për tu ndjekur, pasi në shumicën e vendimeve kanë shfaqur mungesë të theksuar joprofesionalizmi. Nuk duhet të harrojmë se gjatë viteve të tyre në Kosovë një numër i madh i të huajve janë përfshirë në skandale, të cilat janë publikuar dhe në media.

Pse nuk ka rezultuar pozitiv dhe cili do të ishte sipas jush modeli që duhej të ishte ndjekur?

Pak a shumë Kosova është në të njëjtat suaza të respektimit të ligjit si Shqipëria. Në Kosovë janë bërë shumë reforma, duke u imponuar mbi thirrjen e ligjit të cilat janë në kundërshtim me ligjet e Bashkimit Evropian. Nëse ligjet e Kosovës shihen nga këndvështrimi i normave juridike evropiane dhe kjo besoj se do vlejë edhe për Shqipërinë me vënien në jetë të ndryshimeve kushtetuese të reja, vërejmë se bien ndesh me ligjet e Bashkimit Evropian. Por mua më shumë se sa ligjet më shqetëson harmonizimi i ligjeve me mentalitetin e shqiptarëve. Institucionet e Kosovës kanë vetëm shtatë vjet që janë ngritur dhe sigurisht që lipset shumë punë që sistemi i drejtësisë të “shkapet” dhe të avancojë dhe të barazohet me pjesën tjetër të Evropës. Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar në vazhdimësi për shkak të përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të paaftë nga ndërkombëtarët. Nuk e di sa vlen teza e tyre se dështimin mund t’iu faturojmë shtetit të ri të Kosovës, dhe mungesës së shtet-formimit dhe përvojës.

LEXO:  Tomë Gashi: Më vjen çudi si shqiptarët mund t’i duan turqit

 

Nisur nga përvoja në Kosovë, si e shihni rolin që i ka dhënë Kuvendi i Shqipërisë ndërkombëtarëve në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Unë mendoj se në Shqipëri duhej të ishte krejtësisht ndryshe. Roli i ndërkombëtarëve duhej të ishte i pavarur dhe për më tepër duhej të ishte i përkohshëm, ndoshta vetëm për një fazë të caktuar. Unë madje jam i mendimit që përfshirja e tyre nuk është e nevojshme fare në Shqipëri, sepse Shqipëria është shtet i konsoliduar dhe i ka të gjitha konturet e një shteti, ndërsa ne akoma jo. Deputetët e Shqipërisë kanë vendosur që për një periudhë kohe të lënë drejtësinë të “drejtohet” nga ndërkombëtarët derisa të bëhet përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga të huajt, edhe pse unë mendoj se nuk duhet të lejohet, eventualisht mund të krijohet ndonjë komision miks. Ndërsa pas kësaj faze kalimtare të huajt nuk kanë pse përzihen në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ngase një shtet sovran nuk duhet ta lejojë këtë.

Nëse dikush mendon ndryshe, atëherë t’i propozojmë edhe shteteve të tjera që ne t’i dërgojmë panele nga Kosova dhe Shqipëria që të bëjnë përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Angli, në SHBA, Gjermani apo kudo tjetër në shtetet demokratike. Kompetencat që kanë pasur dhe kanë ndërkombëtarët në Kosovë nuk e ka zgjidhur problemin e drejtësisë, madje do të thoja se vetëm sa e ka thelluar. Por Kosova duke qenë produkt i bashkësisë ndërkombëtare si shtet dhe mund ta “justifikojmë” me idenë se qëllimet kanë qenë të mira. Qëllimi ka qenë ruajtja e paqes së përgjithshme dhe ajo që e ka pësuar në emër të ruajtjes së paqes së përgjithshme ka qenë sistemi i drejtësisë, i cili është dëmtuar në mënyrë sistematike.

Deri më tani nuk është parë me prioritet gjyqësori. Ai ka shërbyer si mekanizëm për të punësuar sa më shumë gjyqtarë dhe prokurorë të nacionaliteteve të tjera jo shqiptare dhe këtu është gjithçka politike. Kjo nuk është dashur të lejohej të ndodhte në Shqipëri. Nëse është menduar të bëhet një reformë e thellë në drejtësi dhe nëse mendohej se ka prokurorë dhe gjyqtarë të drejtësisë, ata mund të identifikoheshin nga drejtësia shqiptare dhe jo nga të huajt. Shqipëria duhet të sillej si shtet dhe të mos lejonte që të huajt të “kapnin” drejtësinë e saj.

Si e komentoni ndikimin që kanë ambasadorët në Kosovë dhe Shqipëri te partitë politike, kur shpesh imponohen për të marrë vendime që bien ndesh me kushtetutën?

Partitë politike në Shqipëri nuk kanë arritur të dakordësohen ku qëndrimet e pozitës dhe opozitës janë larg njëra-tjetrës, dhe në këtë mënyrë ambasadorët kanë bërë trysni te partitë opozitare që të pranojnë reformën në drejtësi, ndërsa në Kosovë udhëheqësit politikë kurrë nuk kanë kundërshtuar asgjë që ka ardhur nga ndërkombëtarët. Ambasadorët duhet të merren me detyrat që i janë caktuar dhe jo të bëjnë presione dhe kërcënime ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë apo të Kosovës që të votojnë reforma të cilat nuk janë dakord. Deputetët janë të zgjedhur nga populli dhe nuk mund të lejohet që ato të shantazhohen nga askush pasi ata përfaqësojnë qytetarët. Është e vërtetë që reformat në sistemin juridik në Shqipëri janë shumë të nevojshme por kjo nuk do të thotë që ligjvënësit e zgjedhur në mënyrë demokratike të detyrohen të votojnë pro apo kundër.

Kush është juristi Tomë Gashi?

Tomë Gashi jurist shqiptar nga Kosova që nga viti 2006 është delegat në Kuvendin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Ai njihet si një nga juristët që ka kundërshtuar në vazhdimësi mënyrën reformat e ndërmarra nga ndërkombëtarët në procesin  e drejtësisë së Kosovës. Gashi ka mbrojtur shumë nga komandantët e UÇK-së, të cilët sipas tij janë futur në burg pa pasur prova ndaj tyre. “Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sulejman Selimi është akuzuar dhe është dënuar pa e ditur as emrin e viktimës për të cilin akuzohet. Ka pasur prova që personat që janë marrë si dëshmitarë kanë probleme mentale”, ka thënë Gashi, duke shtuar se mbrojtja e ka të vështirë të ushtrojë punën e saj për shkak të standardeve të drejtësisë në Kosovë.

 

Shpërndaje në: