Gati për revolucionin e madh në futboll: Fillojnë bisedimet për themelimin e ‘Premier Ligës Evropiane’

Gati për revolucionin e madh në futboll: Fillojnë bisedimet për themelimin e ‘Premier Ligës Evropiane’

Liverpool dhe Manchester United kanë nisur bisedimet për t’u bërë themeluese të “Premier Ligës Evropiane”, një format i ngjashëm me Superligën Evropiane që e kërkon me ngulm presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli prej disa vitesh.

Prestigjiozja angleze “Sky Sport UK” ka zbuluar detaje nga plani për turneun e ri, që duket se ka mbështetjen e FIFA-s dhe do të riformatonte edhe peizazhin global të futbollit botëror.

Aktualisht është konfirmuar se kanë nisur negociatat me Liverpool e Manchester United, ndërsa edhe klube të tjera angleze si Chelsea, Arsenal e Tottenham janë gati t’i bashkohen nismës së bujshme.

Paralelisht po zhvillohen negociata edhe me klube evropiane, për t’i përfshirë edhe ato në grupin e skuadrave që do të themelojnë këtë ligë, përfitimet nga e cila pritet të jenë tejet të mëdha për pjesëmarrësit.

Bëhet fjalë për një paketë financimi prej 5 miliardë eurosh dhe momentalisht besohet se do të jetë banka “JP Morgan” që do të marrë përsipër këtë promovim, ndërsa në ligë synohet të bashkohen 18 deri në 20 klube nga Anglia, Italia, Franca, Spanja e Gjermania.

Më të mirat në renditjen e kampionatit mes këtyre klubeve, do të zhvillonin më pas një fazë Play Off-i për të shpallur fituesin, shpërblimi për të cilin synohet të shkojë në qindra milionë euro.

Formati i ri pritet të zëvendësojë Ligën e Kampionëve që operon aktualisht dhe mund të nisë funksionimin që nga vera ne 2022-shit, ndërsa promovuesit e “Premier Ligës Evropiane” kanë nisur punën për të përfshirë sa më shumë klube në rrugën e tyre.

Shpërndaje në: