Gaxherri: Kushtetuesja ta rrëzojë planin e ZRRE-së për rrymën në veri, deklaratat e Kurtit për korrupsionin – qesharake

Gaxherri: Kushtetuesja ta rrëzojë planin e ZRRE-së për rrymën në veri, deklaratat e Kurtit për korrupsionin – qesharake

Ish-deputetja dhe anëtarja e kryesisë së LDK’së Besa Gaxherri ka shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë për shtrenjtimin e rrymës.

Ajo në një intervistë të shkurtër për Periskopin tha se nëse këtë draft – propozim që do ta miratojë qeveria edhe ZRRE për veriun, Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë, ku sipas saj ky vendim është diskriminues.

Ajo tutje ka folur edhe për lavdet e Kurtit që ia thuri vetës për përparim në luftën kundër korrupsionit.

Për znj.Gaxherri është qesharake  nëse mendon Kurti se është rezultat i tii, ku thekson se në këtë mandate të tij “nuk kemi asnjë rezultat pozitiv konkret të kësaj qeverie në jetën e përditshme të qytetarëve përkundrazi, shtrenjtim të jetës në përgjithësi, mos transparencë, arrogancë, pa përgjegjësi e mos dije.”

Lexoni intervistën e plotë:

Periskopi: Si e komentoni krizën energjetike në Kosovë dhe si po i shihni veprimet e qeverisë?

Gaxherri: Kriza energjetike globale është paralajmëruar në muajt e parë të vitit 2021, të gjitha vendet kanë marrë masat dhe kanë bërë planifikimet qe krizën ta përballojnë më lehtë, përderisa qeveria Kurti pati deklaruar se Kosovën nuk e përfshin kjo krizë. Përveç se nuk ndërmorën asnjë masë për krizën globale e cila pa dyshim se na përfshinte edhe ne, qeveria gjatë verës nuk është marrë as me remontet e blloqeve të termoelektranës qe se paku ato të jenë në funksion gjatë dimrit.

Si pasojë e kësaj pa përgjegjësie e të pa dijes, Kosova u ballafaqua me reduktime të energjisë elektrike, përveç kësaj ZRRE me përkrahjen e qeverisë ka prezantuar draft propozimin e shtrenjtimi të energjisë elektrike mbi 42 për qind, të cilën e ka planifikuar që ta marr përmes subvencionit të qeveris me 74 milionë dhe pjesën tjetër ta ngarkoj mbi 30 për qind të familjeve shqiptare.

Ky propozim i qeverisë dhe ZRRE është diskriminues i pa pranueshme dhe krejtësisht i pa nevojshëm qe rritja të jetë në këtë masë.

Periskopi: Së fundi ZRRE ka marrë vendim  për mos shtrenjtim të rrymës në veri, ndërkaq për pjesë të tjera të territorit të Kosovës tashmë është bërë e ditur shtrenjtimi i rrymës, cili është komenti juaj për këtë gjë?

Gaxherri: Sa i përket pyetjes tuaj për energjinë në Veri, është irrituese deklarata e kryetarit të bordit të ZRRE kur arsyetohet se qenka pengesë procesi gjyqësor për veprim në Veri.

ZRRE, Nuk i ka kryer obligimet kushtetuese dhe ligjore të cilat obligon ZRRE qe qysh vitin e kaluar është dashur ta liçensojnë kompaninë e cila do bëjë faturimin në veri,  të cilën nuk e kanë bërë dhe natyrisht se duhet të japin përgjegjësi. Ne shqiptarët paguajmë rrymën edhe për veriun edhe për humbjet në rrjet edhe për ata të cilët e vjedhin rrymën dhe tash në fund edhe rritja e çmimit bie mbi kurrizin e një kategorie të shoqërisë se mesme që rroga mesatare e tyre është 450 euro.

Unë besoj se nëse qeveria dhe ZRRE marrin vendim për këtë draft propozim të shtrenjtimi të energjisë elektrike, Gjykata Kushtetuese do ju rrëzoj këtë vendim sepse është vendim diskriminues.

Periskopi: Qeveria e Kosovës, së fundi ka shtrënguar masat anti-covid, ku këto ditë u zhvillua një një protestë në kufirin Kosovë-Shqipëri, si shkak i këtyre masave,  ku përveç dy dozave të vaksinës po kërkohet edhe testi anti-covid, si i shihni këto masa?

Gaxherri: Sa i përket masave anti covid, janë masa qesharake por shumë të dëmshme për qytetarët por edhe për gastronominë.

Nuk ka asnjë kuptim të kërkohet në kufi vaksina e tretë kur e dimë se pas një vaksinë duhet pritur 6 muaj për ta marrë vaksinën tjetër.

Ndërsa në anën tjetër qeveria nuk e ka siguruar as listën esenciale të barnave nëpër spitalet e Republikës se Kosovës. Nuk kemi menaxhim të pandemisë por as të shëndetësisë në përgjithësi.

Periskopi: Sipas jush çfarë është duke ndodhur me dialogun, ku është kryeministri Albin Kurti në këtë proces?

Gaxherri: Sa i përket dialogut, tashmë kjo qeveri është futur në një rrugë pa krye. Kosova nuk duhet të ikë nga tavolina e dialogut, Kosova duhet ta shfrytëzoj presidencën e Bajdenit, status koha për Kosovën është shumë e dëmshme ajo i konvenon Serbisë.

Periskopi: Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 39-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International. Si e komentoni?

Gaxherri: Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit si perceptim i opinionit dhe kjo është mirë, nëse mendon Kurti se është rezultat i tij është qesharake, në Shtetet  demokratike proceset kanë kontinuitet. Deri më tani ne nuk kemi asnjë rezultat pozitiv konkret të kësaj qeverie në jetën e përditshme të qytetarëve përkundrazi, shtrenjtim të jetës në përgjithësi, mos transparencë, arrogancë, pa përgjegjësi e mos dije./Periskopi

Shpërndaje në: