Gazeta spanjolle raporton se Spanja po normalizon qëndrimin për Kosovën

Gazeta spanjolle raporton se Spanja po normalizon qëndrimin për Kosovën

Qeveria spanjolle nuk është e hapur për njohjen e Kosovës, por po përparon në një normalizim gradual në të cilin vendet e tjera që nuk e njohin Kosovën kanë punuar tashmë, shkruan gazeta spanjolle El Confidencial.

Në maj të vitit 2018, Mariano Rajoy, të cilit i kishin mbetur vetëm pak ditë si kryeministër i Spanjës edhe pse ai nuk e dinte këtë, po shëtiste nëpër Sofje, ku po mbahej një samit ballkanik. Ai kishte marrë pjesë në darkën e udhëheqësve një ditë më parë, por kishte munguar në takimin me partnerët ballkanikë. Vendin e tij e zinte Pablo García-Berdoy, në atë kohë ambasadori i përhershëm i Spanjës në Bashkimin Evropian. Arsyeja e mungesës së tij ishte se në të njëjtën tryezë kishte përfaqësues të Kosovës.

“Tani, tre vjet më vonë, Pedro Sánchez, kryeministër i Spanjës, do të ulet në të njëjtën tryezë me udhëheqësin e Kosovës, kryeministrin Albin Kurti. Pa simbole shtetërore dhe detaje që mund të gjenerojnë dyshimin më të vogël në lidhje me pozicionin spanjoll, por duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm. Burimet diplomatike këmbëngulin se nuk ka ndryshim qëndrimi, se ky është një normalizim i situatës. Por ky normalitet është tashmë një ndryshim në pozicionin spanjoll në lidhje me këtë çështje”, shkruan gazeta spanjolle.

Në vitin 2008 Kosova e shpalli pavarësinë e saj një dekadë pas luftës më 1998-1999. Në mars të vitit 2011, Bashkimi Evropian nisi një dialog midis Kosovës dhe Serbisë me qëllimin e arritjes së një marrëveshjeje politike midis palëve që çon në njohjen e Kosovës.

Spanja nuk është i vetmi vend evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës: Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro janë shtetet e tjera anëtare që nuk e njohin. Sidoqoftë, këto vende kanë një marrëdhënie disi më të qetë me Kosovën edhe pa e njohur.

Por siç shkruan kjo gazetë, “burimet tani insistojnë në një normalizim gradual në fronte të ndryshme, duke cituar si shembull ndeshjet mes ekipit spanjoll dhe atij të Kosovës.”

Shpërndaje në: