Gazetarja zbulon detaje: Anëtari i ri i ‘Guxo’, Gazmend Halilaj u shpall i pafajshëm në rastin e dhunimit të së miturës

Anëtari më i ri i listës “Guxo” Gazmend Halilaj i cili kishte qenë i dënuar për rastin e dhunimit të të miturës në Drenas, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit bashkë me policinë dhe mësuesin të cilët ishin të përfshirë në rast, shkruan Periskopi.
Kështu konfirmoi gazetarja Saranda Ramaj.
“Gjykata e Apelit paska vendosur që as polici, as arsimtarët e as avokati nuk e kanë abuzuar të miturën nga Drenasi”, shkroi Ramaj mes tjerash.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë para 5 viteve kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve për rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së mitur nga Drenasi.Gjykata në fjalë kishte shpallur fajtor policin Vesel Veseli për veprën penale “Keqpërdorim seksual”, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 viteve.
Fajtor për veprat penale “Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin” dhe “Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës” është shpallur edhe arsimtari Shkelzen Xhekaj. I njëjti është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 6 muaj.
Ndërsa, avokati Gazmend Halilaj ishte shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorim seksual” dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve.