Gazsjellësi amerikan: Bislimi thotë se gazi do të vinte nga Azerbaixhani e Rusia

Gazsjellësi amerikan: Bislimi thotë se gazi do të vinte nga Azerbaixhani e Rusia

Besnik Bislimi, zv.kryeministri i Kosovës, në raportimin e sotëm para deputetëve në Komisionin për Integrime Evropiane është shpreshur se gazpërçuesi për të cilin është përfolur se do t’i bashkohej Republika jonë, është një gazsjellës që sjell gaz nga Azerbaixhani dhe Rusia.

Blerta Deliu nga PDK ka pyetur Bislimin për pozicionin e qeverisë në lidhje me gazin pas raportimeve të shumta se një mundësi e tillë ishte refuzuar.

“Sa i përket energjisë, është duke ndodhur një manipulim i madh i opinionit, marrëveshja për gazin që vjen nga Maqedonia nuk e sjell as edhe një litër gaz nga ShBA-ja, i gjithë gazi që duhet të vijë nga linja prej Maqedonisë është gaz azerbajxhan dhe rus. Me dalë me mbrojtë linjën e gazifikimit që vjen nga Maqedonia me idenë që po e mbrojnë gazin amerikan është budallallëk sepse gazi amerikan është gaz likuid, ai nuk transportohet përmes gypave por me kamionë ndërkaq i gjithë gazi që pritet të transportohet nga kjo linjë e gazifikimit është nga Azerbajxhani dhe Rusia”, ka thënë Bislimi.

Më tej, ai u shpreh se amerikanët përmes MCC-së 200 milionët i kishin ndarë për projekte të energjisë në përgjithësi.

“Është gabim të thuhet që MCC-ja ka ndarë 200 milionë për projektin e gazifikimit, MCC-ja nuk ka ndarë asnjë euro për gazifikim, MCC-ja ka ndarë një platformë deri në 200 milionë euro për projekte të cilat e ndihmojnë zgjidhjen e barrierës kryesore për zhvillim në Kosovë që është klasifikuar që është energjia por nuk ka thënë për gazifikim, aty hyn edhe gazi por ju po thoni i ka ndarë 200 milionë euro për gazifikim, unë po them janë zero euro të ndara për gazifikim, ne do të diskutojmë me MCC se çka do të përfshihet në këto. Nuk është thënë askund që mjetet e MCC-së janë të dedikuara për gazifikim”, ka shtuar Bislimi.

Shpërndaje në: