Gerxhaliu rikujton se si disa projekte për energji u stopuan nga qeveritë

Gerxhaliu rikujton se si disa projekte për energji u stopuan nga qeveritë

Ekonomisti kosovar, Safet Gerxhaliu, ka thënë se disa projekte për energjinë janë stopuar nga qeveria.

“Është jo morale të thuhet se në Kosovë nuk ka pasur interesim nga kompanitë më të mëdha për të investuar në energji elektrike dhe thëngjill… Ne kemi dhënë rekomandime të ndryshme por në vend që mirëpriten janë vënë armiqësi ndaj neve, në vitin 2016 kam qenë pjesë e një prezantimi të kompanisë Micubishi që pos studimit të fizibilitetit, ka ofruar edhe garancinë për renovim të bllokut A dhe B, mirëpo si duket nëse nuk je me ne, je kundër nesh, kompania është larguar, dhe besoj se nëse prapë do të ketë një rivitalizim të kapaciteteve, ajo kompani do të lutet të vijë por kam drojë që do të jetë vonë. Dhe në këtë drejtim stopohet ndërtimi i termoelektroneve”, ka thënë Gerxhaliu në Info Magazine.

Sipas tij, Kosova sot është një shtet i varur nga importimi i energjisë, përkundër asaj që ka rezerva të mëdha me thëngjill.

“Nuk e meriton Kosova të viktimizohet sa i përket kapaciteteve të reja energjetike dhe të ndalohet ndërtimi, ndërsa 100 kilometra në tri frontet e Kosovës, prodhohet energji elektrike, në Maqedoninë e Veriut prodhohen 600 megavat, Mali i Zi prodhon 300 megavat, Bosnja 3200 megavat dhe Serbia 5800 megavat, dhe falë patriotëve ambientalë, Kosova sot është një shtet i varur nga importi përkundër asaj që ka rezervat më të mëdha me thëngjill.

Ai tha se Kosova është duke vuajtur nga  mungesa e guximit politik për një vendimmarrje në interes të shtetit dhe qytetarëve.

“Vetëm në vitin 2022 kanë qenë dy projekte, si projekte për investime strategjike, e para, parku i erës nga francezët, është bllokuar, e dyta ka qenë parku i erës nga gjermanët, është bllokuar”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në: