Giresse flet para ndeshjeve të shtatorit, trajneri tregon situatën aktuale te Kombëtarja e Kosovës

Giresse flet para ndeshjeve të shtatorit, trajneri tregon situatën aktuale te Kombëtarja e Kosovës

Selektori i Kosovës, Alain Giresse është paraqitur sot në një konferencë për shtyp, në të cilën ka folur për dy ndeshjet e shtatorit që do t’i zhvillojnë “Dardanët” ndaj Irlandës së Veriut më 24 dhe kundër Qipros më 27 shtator.

Trajneri francez ka thënë se këtë grumbullim e karakterizon sjellja e lojtarëve të rinj, të cilët do t’i gërshetojë me ata që kanë përvojë, për ta ndërtuar një ekip solid për të tashmen dhe të ardhmen.

“Sigurisht që e dini qëllimin e grumbullimit të radhës, i cili iu kushtohet dy ndeshjeve që do t’i kemi në Ligën e Kombeve, ndaj Irlandës së Veriut dhe ndaj Qipros. Me rastin e këtyre ndeshjeve, e kemi përgatitur një listë lojtarësh. Me mënyrën se si e kemi bërë përzgjedhjen e këtyre lojtarëve, listë kjo në të cilën i kemi përzgjedhur lojtarët që janë më në formë aktualisht. Lojtarë që pa dyshim ishin më me rëndësi në ekipet respektive dhe në Përfaqësuesen e Kosovës”, deklaroi fillimisht Giresse.

“I kemi ndjekur edhe lëvizjet e lojtarëve në ekipe të ndryshme. Është e rëndësishme ta ndërtojmë bazën e ekipit. Jemi fokusuar të sjellim lojtarë të rinj, në mënyrë progresive, të cilët në të ardhmen do të luajnë rol kyç në Përfaqësuesen e Kosovës, natyrisht duke e ruajtur bazën e lojtarëve që janë të rëndësishëm për ekipin tonë, por duke bërë prurje të reja. Kjo pra e karakterizon grumbullimin e kësaj radhe, sjellja e lojtarëve të rinj”, vazhdoi trajneri francez.

“Ne do të rreshtohemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, pa dyshim që do të ketë ndryshime nga ndeshjet e kaluara sepse kemi mungesa në ekip”, është shprehur tutje ai.

Ai është shprehur i dëshpëruar me lëndimet e fundit, të cilat ia kanë prishur paksa planet, por zbuloi se në vend të Mërgim Vojvodës dhe Leart Paqaradës do të ftojë lojtarë të rinj, të cilët megjithatë janë të rinj dhe do të jetë e vështirë t’i mbulojnë mungesat e tyre.

Kombëtarja e Kosovës e zhvilloi sot stërvitjen e dytë pasi u grumbullua dje për duelet e shtatorit.

Giresse i ka ftuar disa lojtarë të rinj, të cilëve pritet t’ua japë rastin, duke e pasur parasysh se Kosova nuk e pati një kampanjë dhe aq pozitive në këtë fazë të Ligës së Kombeve.

Shpërndaje në: