Gjeloshaj: Kosova të bëhet pjesë e “Open Ballkan”, me këtë arrihet njohja reciproke me Serbinë

Gjeloshaj: Kosova të bëhet pjesë e “Open Ballkan”, me këtë arrihet njohja reciproke me Serbinë

Kryetari i Alteranativës Shqiptare në Malin e Zi, Nik Gjeloshaj ka shpërndarë deklaratën e ambasadores amerikane në Malin e Zi, Judy Rising Reinke, e cila tha se e mbështesin Ballkanin e Hapur pa fusnota dhe në përputhje me parimet e BE-së.

Gjeloshaj tha përmes një postimi në Facebook se edhe Kosova duhet të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”. Sipas politikanit shqiptar në Malin e Zi, “Ballkani i Hapur” e konkretizon çështjen e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Harkun e Ballkanit të Hapur do ta bëjnë Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – tre shtete anëtare të NATO-s, me mbështetje të madhe nga SHBA-ja. Kosova, si shteti më i ri, të jetë edhe pjesë e Ballkanit të Hapur. Domethënë bashkë me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, gjithsej gjashtë shtete”, shkroi ai.

Duke shkruar se “Ballkani i Hapur” është “projekt i përbashkët i partnerëve tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë”, ai shtoi: “Ballkani i Hapur i jep fund njohjes reciproke të Serbisë dhe Kosovës dhe e mbyllë çështjen më të rëndësishme të hapur mes shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Gjeloshaj thotë se Mali i Zi nuk duhet të jetë inferior në këtë proces, por si anëtar i NATO-s, edhe pse vend i vogël, duhet të jetë ndër lojtarët kryesorë të projektit.

Sipas tij, s’duhet pasur frikë as nga dominimi i Serbisë.

“Nuk e kuptoj inferioritetin e strukturave të caktuara politike në Mal të Zi. Veçanërisht më duket frika e dominimit të Vuçiqit. Kjo është nën nivel. Të gjithëve duhet t’i ofrohet një shans për të ndryshuar! Jemi anëtarë të NATO-s. Nuk duhet të kemi frikë nga askush. Ne duhet të hapemi për bashkëpunim me të gjithë, dhe veçanërisht me fqinjët tanë”, shkroi ai.

Gjeloshaj shkroi se shtetet e Ballkanit Perëndimor s’mund të futen në BE nëse nuk hapen si fqinjë ndaj njëri-tjetrit.

“Le të shikojmë nga e ardhmja, jo nga e kaluara. Duhet të marrim përgjegjësi, jo ta bëjmë gjithçka dhe gjithçka temë kombëtare. Duam zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim. Kush dëshiron të qëndrojë në të nëntëdhjetat – i priftë e mbara. Unë jam i sigurt nuk e dua atë dhe nuk do ta dua!”, shkroi Nik Gjeloshaj.

Në takimin e fundit të nismëtarëve të “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Malit të Zi mori pjesë, por tha se shkoi thjesht për të vëzhguar.

Kundër “Ballkanit të Hapur” është presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Këtë qëndrim ai e shprehu edhe nga Prishtina, gjatë vizitës së fundit në Kosovë.

Kosova ndërkohë vazhdon të jetë e pozicionuar kundër kësaj nisme, duke e cilësuar “Ballkanin e Hapur” si projekt të Serbisë që është kundër interesave të Kosovës.

 

Shpërndaje në: