Gjendje e vështirë e refugjatëve në Idomeni, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë
Në qendrën për pritjen e refugjatëve në Idomeni, nga numri i përgjithshëm i refugjatëve që presin për të kaluar në territorin e Maqedonisë 45 përqind janë viktima fëmijët, më saktësisht rreth 4.500 refugjatë janë fëmijë të pafajshëm të cilët nuk dinë se çfarë është duke ndodhur me të ardhmen e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipi i AA-së ka vëzhguar jetën e fëmijëve refugjatë në Idomeni, tek sytë e të cilëve duket qartë lodhja, trishtimi dhe frika. Ata shprehen se u mungon jeta në atdheun e tyre dhe për këtë arsye ata dëshirojnë që të kthehen përsëri, por pasi të marrë fund lufta.
“Ne nga Siria bashkë me familjen time kemi ardhur këtu dhe dëshirojmë të shkojmë në Gjermani. Më mungon atdheu, dëshiroj të kthehem, por atje ka luftë dhe nuk mund të kthehemi. Nëse përfundon lufta unë patjetër do të kthehem, mirëpo atje gjithmonë ka luftë, luftë dhe luftë, ajo asnjëherë nuk përfundon. Ne nuk duam të luajmë lojëra me shokët tjerë, ne vetëm duam të kalojmë kufirin”, tha Zijad-i, një 11 vjeçar sirian, i cili plotë dhjetë ditë bashkë me prindërit pret të kalojë kufirin.
“Jam shumë e sëmurë, por këtu nuk ka barna, nuk ka as bukë. Koha është shumë e ftohtë, nuk kemi ku të flemë, nuk kemi shtretër. Nuk kam as shokë dhe nuk kam me kë të luaj. Këtu nuk ka asgjë dhe ky vend është shumë i mërzitshëm”, u shpreh 8 vjeçarja siriane, Rolena.
“Ne këtu ujin dhe bukën e blejmë me para, sepse organizatat humanitare na japin shumë pak bukë. Natën kur bie shiu është shumë ftohtë, na lagen veshjet dhe deri në mëngjes nuk mund të flemë. Tendat janë të vogla dhe mbushen me ujë, kështu që dalim jashtë, ndezim zjarr dhe ngrohemi”, u shpreh Abdullah-u, 13 vjeçari irakian, i cili për 15 ditë ndodhet në Idomeni.
Organizatat humanitare theksojnë se nuk kanë pajisje dhe kapacitet për një numër kaq të madh të refugjatëve, ndërkohë ditët e ngrohta fëmijët i kalojnë më lehtë, mirëpo gjatë netëve të ftohta dhe me të reshura shiu, ata qëndrojnë të ngujuar afër prindërve në tenda të vogla, duke shpresuar për një të ardhme më të lumtur.



