Gjermania po heton sulm të mundshëm me armë sonike ndaj amabasadës së ShBA-së

Gjermania po heton sulm të mundshëm me armë sonike ndaj amabasadës së ShBA-së

Policia gjermane është duke hetuar një sulm të pretenduar me armë sonike – armë që përdorin valë të posaçme zanore – kundër stafit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Berlin. Ky është rasti më i ri i një vargu incidentesh të sindromit Havana përreth botës.

Deklarata e policisë, në të cilën thuhet se hetimet kanë nisur që nga muaji gusht, u lëshua të premten si reagim ndaj një raportimi në revistën e njohur gjermane, “Der Spiegel”, ku thuhet se hetimi për së paku dy raste është hapur duke u mbështetur në dëshmitë e dorëzuara nga ambasada amerikane.

Rreth 200 raste të sindromit Havana – i emëruar kështu për shkak se rastet e para janë raportuar në Havana, kryeqytet i Kubës, më 2016 – janë raportuar deri më tani përreth botës. Incidente të tilla janë shënuar edhe në Kinë, Indi dhe madje edhe në Uashington.

Të prekurit kanë qenë kryesisht diplomatë dhe zyrtarë të inteligjencës nga ShBA-ja, ndonëse edhe Kanadaja ka raportuar raste në ambasadën e vet në Havana, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Autoritetet austriake gjithashtu kanë thënë se janë duke punuar ne ShBA-në për t’i hetuar disa raste në mesin e stafit të ambasadës amerikane në Vjenë.

Në mesin e simptomave përfshihen marramendja dhe ndjenja e të vjellurit në aspektin afatshkurtër si dhe migrena e humbja e kujtesës në aspektin afatgjatë.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës – CIA, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni janë duke kryer hetime rreth këtyre rasteve. Raportohet se rreth 100 oficerë të CIA-s janë të prekur nga sindromi Havana.

Shpërndaje në: