Gjilani jua ndaloi punëtorëve hyrjen pa vërtetim vaksinash ose testesh: A është kjo arbitrare?

Gjilani jua ndaloi punëtorëve hyrjen pa vërtetim vaksinash ose testesh: A është kjo arbitrare?

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nxjerr sot vendimin që nga nesër, (7 shtator 2021), punëtorët e shtetit, përfshirë shërbyesit civilë, zyrtarët publikë, mjekët, infermierët, mësimdhënësit, zjarrfikësit, punëtorët teknikë etj., nuk do të mund të futen në vendet e tyre të punës pa konfirmim të vaksinimit, test PCR apo test rapid antigjen.

Në një prononcim për Periskopin, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se nëse vendimi i komunës së Gjilanit është në kuptim të zbatimit të vendimit të qeverisë që kufizon vetëm zyrtarët publik, është në pajtim me ligjin, por nëse ky vendim zbatohet ndaj qytetarëve që kërkojnë shërbime nga komuna, atëherë ky vendim mund të konsiderohet arbirtrar dhe që iu kufizon të drejtat qytetarëve të kesaj komune.

“Në bazë të ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemise COVID-19, është Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që mund të marrin vendime të karakterit të tillë. Nëse vendimi i komunës së Gjilanit është në kuptim të zbatimit të vendimit të qeverisë që kufizon vetëm zyrtarët publik, është në pajtim me ligjin, por nëse ky vendim zbatohet ndaj qytetarëve që kërkojnë shërbime nga komuna, atëherë ky vendim mund të konsiderohet arbirtrar dhe që iu kufizon të drejtat qytetarëve të kesaj komune”, tha Miftaraj.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen të Drejtave dhe Lirive të Njeriut [KMDLNJ], Behxhet Shala i ka thënë Periskopit se, në një situatë të jashtëzakonshme mund të mirren vendime të jashtëzakonshme.

“Z. Hazirit iu lejohet të mirren këso vendime sepse në qoftë se nuk mirren këso vendime situata po eskalon. Në fund të fundit, në një situatë të jashtëzakonshme mund të mirren vendime të jashtëzakonshme. Dhe nuk mund të flasim për të drejtat e njeriut në një moment nëse është në pyetje e drejta për jetë. E drejta për jetë është e drejta supreme. Në qoftë se ajo nuk reflektohet apo nuk mbrohet, atëherë është joserioze të flitet për të drejtat e tjera. Për faktin që jemi në një situatë të rëndë dhe interesat janë në rregull për të gjithë, sepse po të ishim vaksinuar me kohë, po të kishte pasur një disiplinë më të madhe, nuk do kishim numër kaq të madh të të vdekurve dhe të infektuarve”, tha Shala.

Ndryshe, gjendja e përgjithshme në Gjilan prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 26111 mostra, 9331 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, 8160 janë shëruar, 174 persona e kanë humbur betejën, 998 raste janë aktive, 49131 deri tani janë vaksinuar, të hospitalizuar janë 111 pacientë, ndërkaq 146 mostra janë në pritje për rezultat./PERISKOPI/

Shpërndaje në: