Gjithçka që ndodhi në mbledhjen e KQZ’së, ku nuk u certifikuan kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

Gjithçka që ndodhi në mbledhjen e KQZ’së, ku nuk u certifikuan kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur të mos certifikojë kandidatët për kryetarë të Listës e Serbe për katër komuna veriore në të cilat do të mbahen zgjedhjet më 19 maj. Të pranishëm në mbledhjen e sotme ishin vetëm 9 anëtarë të KQZ-së, ku 7 prej tyre votuan “pro” ndërsa 2 të tjerë abstenuan. Në këtë rast duheshin tetë vota “pro” në mënyrë që kandidatët të certifikoheshin.

Edhe pse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tentoi që të kalonte menjëherë në votim duke shmangur debatet të cilët nisën në mbledhjen e djeshme, i emëruar anëtar i KQZ-së pas nominimit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, mori fjalën duke kërkuar që Listës Serbe t’i jepen edhe 24 orë kohë në mënyrë që të zëvendësojë 3 nga katër kandidatët ose të dalë me një deklaratë publike ku distancohen nga deklaratat e kandidatëve të tyre të cilët sipas Rrustemit po shkelin Kushtetutën duke mohuar shtetësinë e Kosovës.

Rrustemi deklaroi se abstenimi i tyre nuk duhet të shihet si veprim kundër pjesëmarrjes se serbëve në zgjedhje. Ai e përsëriti se çështjen e tre kandidatëve është i interesuar ta orientojë edhe në rrugë juridike, duke paralajmëruar se mund ta dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë po ashtu propozoj sot që t’i japim edhe 24 orë kohë Listës Serbe të zëvendësojë tre nga katër kandidatët ose të sjellë një deklaratë publike që distancohet nga përmbajtja e këtyre deklaratave. […] Abstenimin e bëjmë si dëshmi që nuk jemi kundër pjesëmarrjes së serbëve, nuk jemi kundër serbëve, nuk po votojmë kundër certifikimit të tyre, por për shkak të dilemave që kemi dhe nevojës për ta sqaruar edhe juridikisht këtë punë, do të abstenojmë”, deklaroi Rrustemi.

Anëtari tjetër i KQZ-së, Florian Dushi, që është emëruar pas nominimit nga LDK, ka kërkuar që të mos krijojnë precedentë që do të mund shkaktonin probleme edhe më të mëdha në zgjedhjet e ardhshme.

Dushi deklaroi se KQZ nuk mund t’i vendosë kushte të tjera subjekteve politike përpos ato që parashihen me ligj duke shtuar se deklarimet e Rrustemit se do të shfrytëzojë mekanizmat e tjerë juridikë për vendimet e KQZ-së nuk janë korrekte.

“Nëse ne jemi të sigurt se gjithçka është ligjore nuk duhej me prit që instancat e tjera të korrektojnë vendimin e këtij institucioni, por do të duhej që ne personalisht me ndërgjegje të pastër dhe në kuptimin e ruajtjes së unitetit brenda këtij institucioni në respektim të ligjit dhe të rekomandimit të Zyrës, si e pavarur, ka sjellë rekomandimin që të tria këto subjekte që kanë aplikuar për t’u certifikuar në zgjedhjet në veri, plotësojnë kushtet ligjore dhe duhet që në funksion të saj të sillemi edhe ne si anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Unë po frikësohem se po krijojmë precedentë jo të mirë, precedentë i cili mund të na krijojë telashe edhe më të mëdha në zgjedhjet e ardhshme”, tha Dushi.

Anëtari tjetër i KQZ-së, Stevan Veselinoviç, deklaroi se nuk ekziston asnjë bazë për të refuzuar kandidatët e Listës Serbe për kryetar të komunave veriore në zgjedhjet e 19 majit. Ai tha se për herë të parë në KQZ po kontestohet kandidatura e dikujt në bazë të një letre dorëheqjeje e që sipas tij nuk duhet të ndodhë.

Veselinoviç shprehu shqetësimin e tij rreth mos certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet në veri duke thënë se kjo po bëhet për arsye të pastra politike dhe nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si sulm ndaj komunitetit serb.

“Mendoj se është bërë një precedent se materiali që kemi marrë këtu për verifikimin e kandidatëve dhe partive politike kanë marrë kopjet e dorëheqjeve të kryetarëve të komunave në veri. Mendoj se kjo për herë të parë është bërë në këtë institucion dhe se për këtë nuk ka pasur kurrfarë nevoje dhe kjo merret si bazë për të kontestuar kandidatura e dikujt dhe mendoj e me zgjedhje nuk ka kurrfarë lidhje dhe rregullat aktuale të cilat vlejnë. […] Me vetë këtë se nuk dëshirojmë të certifikojmë këta kandidatë është për arsye të pastra politike, pasi këtu shemben të drejtat demokratike që njerëzit të zgjidhen në zgjedhje. Unë këtë nuk mund ta konsideroj ndryshe përveç si një sulm brutal ndaj bashkësisë serbe në Listën serbe, e cila përfaqëson këtë komunitet”, tha ai.

Mirëpo, Rrustemi reagoi duke thënë se Lista Serbe nuk e përfaqëson komunitetin serb ashtu siç mendojnë ata dhe se përmes presioneve dhe kërcënimeve ka penguar kandidimin e serbëve të tjerë në këto zgjedhje. Ai adresoi kritika edhe në drejtim të Presidentit Thaçi duke e akuzuar se e ka nisur me shkelje ligjore procesin e shpalljes së zgjedhjeve pasi nuk është konsultuar me partitë politike.

Edhe Dushi deklaroi se nuk pajtohet me pretendimet e Veselinoviçit se ky është sulm brutal ndaj komunitetit serb, ashtu siç tha se nuk pajtohet me Rrustemin për kërkesa të reja ndaj Listës Serbe duke kërkuar nga anëtarët që të respektojnë detyrën e tyre ligjore dhe të shmangin këtë gjuhë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në vazhdimësi kërkonte që të shmangeshin fjalimet, siç i quante ajo, politike duke thënë se ato duhet të mbahen në Kuvendin e Kosovës. Ajo tha se janë aty për të respektuar Ligjin për zgjedhjet dhe jo për të bërë politikë.

Daka shtoi se Zyra për certifikimin e katër kandidatëve për katër komuna në veri të Kosovës ka dhënë rekomandime pozitive për të cilin kërkohet vota.

“Na nuk jemi institucion që bëjmë kushtëzime dhe i cili merret me vlerësimin e vendimeve të Presidentit të Republikës, secili institucion i ka obligimet dhe autorizimet e veta. Në autorizimet tona është vlerësimi i ligjshmërisë së aplikacionit të kandidatëve, e kemi vlerësimin e zyrës e cila është në kuadër të KQZ-së dhe ka vlerësuar se kandidatët kanë plotësuar kushtet ligjore, e përsëris kushtet ligjore, të parapara me këtë ligj në bazë të cilit ne i organizojmë zgjedhjet dhe ne përtej këtyre kritereve nuk mund të shkojmë, as me kërkesa politike, as me kërkesa të tjera, as me kushtëzime sepse asnjëherë nuk kemi bërë në këtë mënyrë, as nuk kemi autorizim”, deklaroi Daka.

Më pas, Daka kërkoi që anëtarët të votojnë, ku 7 votat “pro” nga 9 anëtarë nuk mjaftuan që të certifikoheshin kandidatët e Listës Serbe. Kundër këtij vendimi të KQZ-së, Lista Serbe ka të drejtë ankese në afat prej 24 ore.

Ndryshe, kandidatët e PDK-së: Shaqir Hetemi, Hysen Mehmeti, Ilir Peci e Gonxhe Çaushi si dhe të ata të Lëvizjes Vetëvendosje: Fisnik Veseli, Liridona Harimani, Avdi Peci e Erden Adic janë certifikuar nga KQZ

 

Shpërndaje në: