Gjithçka sheshit, si e rrëzuan hakerat Policinë e Shtetit Shqiptar

Gjithçka sheshit, si e rrëzuan hakerat Policinë e Shtetit Shqiptar

Publikimi i të dhënave personale dhe i postës elektronike të ish kreut të Policisë së Shtetit, janë akti i dytë i rrëzimit të shtetit dixhital të Edi Ramës.

Ajo që kryeministri Edi Rama na siguroi edhe në bashkëbisedimin e fundit online ditën e shtunë, se sistemet tona rezistuan dhe se të dhënat u mbrojtën, në fakt rezulton e pavërtetë. Posta elektronike e Gledis Nanos kishte të dhëna sensistive për punën e Policisë së Shtetit, funksionin e tij, si dhe të dhëna le të themi banale, sic ishte rasti i sherrit verbal në zyrën e drejtorit të Tiranës, Lorenc Panganika.

Rast flagrant është gjithashtu zbulimi i një plani për eleminimin fizik të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.  Në vitin 2021, autoritetet e Antiterrorit në Kosovë Albin Kurtit ku pjesë e planit sipas një informacioni të mbërritur me email-in e drejtorit të Policinë e Shtetit Gledis Nano ishte edhe një shtetas nga Shqipëria i identifikuar si Prek Kodra. Kreu i Policisë së Shtetit informohej se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.

Tjetër rast i rëndë është se përmes këtij informacioni të bërë publik nga hakerat mësojmë gjithashtu një hetim të vitit 2017 për 3 persona të cilët dyshohen se po përgatisnin një atentat ndaj ish-kreut të PD, Lulzim Basha.

Personat e dyshuar për planin e ekzekutimit identifikohen si Fatmir Gurgurrovci, Arben Ymeri nga Kosova dhe Afrim Morina nga Maqedonia e Veriut, me detyre punonjës i Policisë.

Në emailet e Gledis Nanos mësojmë gjithashtu se i shumëkërkuari Talo Çela vijonte të shëtiste i lirë në një qendër tregtare në Tiranë edhe pse ishte i shpallur në kërkim. Për këtë rast skandaloz informohej me email ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Hakerat duket se nuk kanë në dorë vetëm të dhënat e TIMS, ndërsa sot publikuan gjithë lëvizjet e Gledis Nanos jashtë vendit. Ata dyshohet se kanë hyrë akoma më thellë, edhe në sisteme të tjera tejet të rëndësishme të Policisë së Shtetit, si ADAMS dhe MEMEX. Këto sisteme që aktualisht nuk janë rivënë në punë, kanë gjithë kartelat kriminale të shumë ngjarjeve dhe personave në këto 3 dedaka në vendin tonë. Hakerat duket se e kanë dhënë sot sinjalin e parë teksa publikuan listën e personave të shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Njësoj sic bëri në rastin e dosjes së Nuredin Dumanit, ku në mënyrë skandaloze Prokuroria e bërë njësh me qeverinë e Edi Ramës ndaloi nominalisht gazetarin Elton Qyno që të publikonte pjesë nga fashikujt në të kundërt rrezikonte burgun, edhe sot pasdite pati një njoftim të beftë nga Policia e Shtetit. Në fakt ishte njoftim që shpërndahej nga Policia, për llogari të Prokurorisë, ku ndaohej publikimi i cdo të dhëne që hakerat e nxjerrin në llogarinë e tyre në Telegram.

“Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit. Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi. Në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal Nr.5430/2022, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pra, jemi në kushtet kur qeveria paaftësinë e saj për të ruajtur të dhënat sensitive dhe për të mbrojtur sistemet dixhitale, tenton ta mbulojë me presionin e Prokurorisë, institucion që dëshmon edhe njëherë se nuk është i pavarur, por ngjan me një shtojcë të partisë në pushtet. Shteti dixhital i Edi Ramës është rrëzuar me kohë qysh në pranverë të vitit të shkuar kur rrodhën masivisht të dhënat private të qytetarëve nga sistemi i patronazhistëve.

Gjithcka po ndodh së fundi me sulmin në e-Albania dhe sistemet e Policisë së Shtetit tregon gjithashtu se më shumë është investuar në propagandë për shtetin dixhital sesa në sistemet mbrojtëse kundër sulmeve kibernetike, që në kohët e sotme duhet thënë se janë të pashmangshme. Në sistemet e Policisë së Shtetit ishte investuar shumë pak për të siguruar mbrojtjen e tyre. Janë të shumtë ata që punojnë vetë brenda kësaj organizate që e pohojnë këtë fakt. Servera e pajisje të ndryshme i përkasin gati 2 dekadave më parë, nuk janë përditësuar dhe mirëmbajtur sipas protokolleve përkatëse të sigurisë duke qenë kështu lehtësisht të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike. Këto të fundit sic edhe vetë Edi Rama e ka pohuar, pritet që të vijojnë në të ardhmen nga Irani.

Ditë më parë Lapsi.al raportoi gjithashtu se sulmet nga regjimi i Teheranit ndaj Shqipërisë janë një lloj hakmarrje kundër aktivitetit të MEK në vendin tonë. Grupi i muxhahedinëve të strehuar në kampin e Manzës ka ndërmarrë vazhdimisht sulme kibernetike ndaj infrastrukturës dhe sistemeve të qeverisë së Iranit.

Deri ku do të shkojnë këto sulme kibernetike dhe çfarë pritet të mësojmë ende në vijim këtë me siguri nuk di ta thotë askush. Pasi rrëzuan Policinë e Shtetit dhe nxorrën në shesh të dhëna sensitive, pyetja që shtrojnë të gjitha tani është kjo: Kush e ka radhën?

Shpërndaje në: