Gjuriq: Ndalimi i Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje shfuqizon të drejtat politike për serbët në Kosovë

Gjuriq: Ndalimi i Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje shfuqizon të drejtat politike për serbët në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, tha sot se ‘ndalimi’ i përfaqësuesve të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës është një akt me të cilin shfuqizohen të gjitha të drejtat politike për serbët.

“Pjesëmarrja e mëtejshme e serbëve në çdo institucion të Prishtinës dhe proceset politike të organizuara nga Prishtina pas një akti të tillë bëhet i pakuptimtë”, tha Gjuriq në një deklaratë me shkrim.

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka certifikuar kandidatët për kryetarë të komunave veriore për zgjedhjet e 19 majit nga Lista Serbe.

Në mbledhjen e sotme ishin të pranishëm 9 anëtarë të KQZ-së, prej të cilëve 7 votuan “pro” dhe 2 abstenuan. Kjo nuk ishte e mjaftueshme që kandidatët ë Listës Serbe të certifikohen, pasi në këtë rast duheshin 8 vota “pro”.

Edhe pse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk deshi të lejonte debat, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi shprehu kundërshtimin e tij duke kërkuar që Listës Serbe t’i jepet edhe 24 orë kohë që të ndryshojë kandidatët ose të distancohet nga deklaratat e të njëjtëve që mohojnë shtetësinë e Kosovës.

Për komunën e Leposaviqit ka aplikuar Zoran Dodiq, për Zubin Potok Sergjan Guloviq, për Zveçan Vuqina Jankoviq dhe për Mitrovicë të Veriut Goran Rakiq.

Ndryshe, kandidatët e PDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje janë certifikuar

Shpërndaje në: