Gjykata dënon mërgimtarin, nuk iu ndal policëve dhe tentoi të ikte me veturë

Periskopi.com Lajme

Gjykata e Ferizajt e ka shpallur sot aktgjykimin në rastin e mërgimtarit Përparim Krasniqi, i cili, sipas aktakuzës, nuk iu kishte bindur urdhrit të Policisë për t’u ndalur me veturë.

Madje, sipas Prokurorisë së Ferizajt, përveç që nuk ishte ndalur, i pandehuri edhe e kishte rritur shpejtësinë e veturës duke rrezikuar zyrtarët policorë.

Këta të fundit ishin vënë në ndjekje të të dyshuarit, i cili në këtë veprim ishte bashkë me vëllanë e tij, Bajramin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur policët kishin arritur të ndalnin veturën e të dyshuarve, ata i kishin mbyllur dyert duke mos dashur të legjitimohen. Gjithashtu, gjatë arrestimit, ata kanë rezistuar fuqishëm me ç’rast u kanë shkaktuar lëndime dy zyrtarëve policorë.

Me këtë, Prokuroria pretendon se ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

I pandehuri Përparim Krasniqi e pranoi sot fajësinë për veprën penale.

Dhe, Gjykata e dënoi me gjobë në vlerë prej 800 euro.

Aktgjykimi u shpall nga gjyqtari Ilir Bytyqi.

Sipas aktakuzës së mbrojtur nga prokurorja Sebahate Sinani, rasti ka ndodhur në Ferizaj më 8 nëntor 2017.

Gjykata, ndërkaq, e veçoi procedurën ndaj të pandehurit tjetër, Bajram Krasniqit, i cili do të dalë para drejtësisë porsa të vijë nga mërgimi.

Shpërndaje në: