Gjykata Kushtetuese nesër mban seancë për fatin e Qeverisë Hoti

Gjykata Kushtetuese nesër mban seancë për fatin e Qeverisë Hoti

Nesër në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seancë dëgjimore sa i përket Kushtetueshmërisë së votës të deputetit Etem Arifi.

Arifi kishte votuar pro Qeverisë Hoti, teksa partia Vetëvendosje ka kërkuar interpretim të Kushtetueshmërisë për votën e tij.

Seanca e nesërme pritet të fillojë nga ora 10:00, online përmes video-konferencës.

Lëvizja Vetëvendosje nesër do të marrë përgjigjje mbi dyshimet që kanë shfaqur që nga votimi i Qeverisë Hoti lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi.

Të gjitha palët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Gjykatës Kushtetuese për seancë publike që do të mbahet me datë 2 dhjetor.

“Në seancën dëgjimore publike e cila do të mbahet më 2 dhjetor 2020, me fillim në ora 10:00, do të marrin pjesë të gjitha palët e interesit të përfshira në rast. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online) dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj”, thotë zyra për media e Gjykatës Kushtetuese për Express.

GJK-ja bën të ditur se palët nuk kanë kërkuar shtyrjen e seancës dhe se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë për informacione më të detajuara.

“Asnjëra nga palët e përfshira në rast nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës. Për më shumë hollësi rreth mundësisë së përcjelljes së drejtpërdrejtë të seancës dëgjimore publike, do të mund t’i referoheni edhe njoftimit për media që Gjykata do ta publikojë gjatë ditës së nesërme”, thotë Gjykata.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.

 

Shpërndaje në: