Gjykata njeh Berishën, por thellohet çarja në PD

Gjykata njeh Berishën, por thellohet çarja në PD

Gjykata e Tiranës i ka njohur këtë të premte “pronësinë” e Partisë Demokratike Sali Berishës dhe mbështetësve të vet, duke e thelluar edhe më tepër krizën, në vend që ta zgjidhte atë.

Në vendimin e dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri, njihen aktet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbajtur më 11 dhjetor 2021, nga grupi i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike. Regjistrimi i kuvendit të mbajtur në stadiumin kombëtar, i hap rrugën idhtarëve të foltores të marrin vulën e partisë, të hyjnë në godinën zyrtare dhe së fundi të drejtojnë PD deri sa ajo të zgjedhi forumet e reja drejtuese.

Por në fakt situata nuk duket kaq e thjeshtë. Sepse pjesa e drejtuesve dhe deputetëve që ka lënë Lulzim Basha pas vetes e kundërshton me forcë këtë vendim. Në qendër të kundërshtisë qëndron, Agron Zhukri, gjyqtari që e mori atë. Sipas kundërshtuesve, ky gjyqtar që nuk e ka kaluar vettingun, është në konfikt të pastër interesi, sepse bashkëshortja e tij ka qenë sekretare e Sali Berishës. Madje mediat pranë grupimit të Bashës kanë nxjerrë edhe një dokument, ku Zhukri kërkon të tërhiqet nga një proces i vitit 2018, mes Ramës dhe Berishës, duke përdorur si argument konfiktin e interesit.

Në shkresën e publikuar, Agron Zhukri paraqet dorëheqjen nga kjo çështje, duke shkruar se bashkëshortja e tij “Rrezarta Zhukri (Kushi) ka qenë sekretare personale dhe shefe e Administratës e Sali Berishës, njëkohësisht edhe anëtare e Partisë Demokratike dhe është në marrëdhënie miqësie me të”.

Me të njëjtin motiv Zhukri donte të hiqte dorë edhe nga ky proces por kërkesa e tij nuk u pranua nga gjykata e Tiranës.

Duke nisur nga kjo përkatësi Gazmend Bardhi e sulmoi një ditë përpara vendimit ashpër gjyqtarin. Ai hodhi akuza se ishte i ndikuar nga një deputet pranë Berishës dhe e kërcënoi atë:“nëse gjyqtari ka vendosur të hedhë veten në erë, është i lirë, i ka thënë burgut hapu”.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe shefi i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, pas shpalljes së vendimit duke e quajtur atë të pavlefshëm: “Në tejkalim të ligjit, gjyqtari ka marrë në shqyrtim çështjen. Ne kemi bërë një ankim për regjistrimin e Kuvendit të datës 18 dhjetor dhe çështja është në apel. Gjyqtari i sotëm nuk ka pasur një dosje. Gjyqtari ka marrë një vendim pa pasur prova, pa pasur dosje, pa pasur palë”, tha Alibeaj.

Por sado i paragjykuar dhe palë të ketë qenë gjyqtari Zhukri, ai ka marrë një vendim që është në të njëjtën linjë me atë që publiku ka parë me sytë e tij. Kuvendi i mbledhur nga Berisha në 11 dhjetor kishte mbështetjen e shumicës së antarësisë. Ai ishte produkt i nënshkrimeve vullnetarë të delegatëve dhe çdo përpjekje për të mos njohur atë do të qe një manipulim skandaloz.

Po a e zgjidh ky verdikt i drejtësisë krizën në përtinë më të madhe të opozitës? Nga shenjat e para duket se jo. Sepse sinjalet janë që ai mund të shërbejë si një mollë e re sherri për drejtimin, selinë dhe vulën e PD-së.

Sipas mbështetësve të Berishës vendimi i gjykatës është i pa apelueshëm dhe për rjedhojë ajo që Basha quante kryesi konsiderohet e shkarkuar, vula që ata përdornin është nul dhe uzurpuesit duhet të dorëzojnë zyrat. Juristët e komisionit të rithemelimit pretendojnë vendimet për regjistrimin e ndryshimeve janë vendime që merren pa palë kundërshtare, për to nuk lejohet ankim nga palë që nuk janë në proces dhe efeketet e vendimit hyjnë në fuqi menjëherë.

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Ivi Kaso menjherë pas daljes së vendimit bëri një ekspoze se si e lexonte atë: “Nga momenti që kur është shpallur, ka hyrë në fuqi. Tani PD edhe juridikisht do të drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit. Ka vetëm një PD, vetëm një simbol të miratuar në 11 dhjetor, vetëm një flamur dhe vulë që menjëherë pas datës 11 dhjetor i depozituam dhe gjykata i regjistroi. Gjykata njohu organin më të lartë, Komisionin e Rithemelimit. Vendimi është menjëherë i ekzekutueshëm. Ne në momentin që na pranohet kërkesa, nuk kemi nevojë të bëjmë ankime kot”.

Por, nga ana tjetër duket se Alibeaj, Bardhi e kompani, pra të gjithë ata që po mbajnë zyrat edhe pas largimit të Bashës, nuk do e njohin këtë vendim gjykate. Ata, ndryshe nga pala e foltores pretendojnë se vendimi merr formë të pretë vetëm pas apelit. I pyetur menjëherë pas vendimit të gjykatën nëse do ta lironin selinë, Alibeaj u përgjigj:“Vendimi është i vlefshëm dhe i zbatueshëm vetëm kur shqyrtohet në instancë finale që është Apeli. Ky vendim i sotëm bëhet i ekzekutueshëm nëse nuk ankimohet ose kur ankimohet dhe gjykata e Apelit e shqyrton” tha ai duke e quajtu vendimin nul pasi “ne kërkuam të bëjmë palë në proces, por nuk na bënë ndaj vendimi është nul”.

Pra, duket qartë se në vend që ta zgjidhte krizën vendimi i gjykatës i ka barrikaduar palët në llogoret e mëparshme për të ruajtur secili PD që ka në kokën e vet.

Shpërndaje në: