Gjykata Supreme rikthen masën pezulluese për hidrocentralet në Deçan

Periskopi.com Lajme

Gjykata Supreme e Kosovës ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e hidrocentraleve në Deçan.

Gjykata Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentraleve ishte kundër interesit publike.

“Gjykata Supreme ka konstatuar se paditësit, zt. Selmanaj dhe banorët tjerë të Deçanit, kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralet në Deçan nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Ojq ‘Pishtarët’ janë palë të interesuara në proces, dhe për të njëjtën çështje kanë dërguar gjithashtu padi përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike”, thuhet në njoftim.

Hidrocentralet në Deçan nuk do të mund të operojnë më ligjshëm derisa gjykata të nxjerr një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e lejeve.

“Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta! E të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme”, thuhet tutje në njoftimin e Qendrës për Rastet Gjyqësore Strategjike.

QRGjS-ja ka theksuar pse puna e këtyre hidrocentraleve është e dëmshme.

“Fillimisht, duhet të theksohet se lejet dhe licencat për hidrocentralet në Deçan janë dhënë pa pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrje, në procedura jo-transparente dhe të dyshimta! Pastaj, Hidrocentralet në Deçan: (i) kanë degraduar rëndë mjedisin, florën, faunën, kanë çrregulluar ekosistemin; (ii) kanë shëmtuar peisazhin e bukur; (iii) kanë devijuar dhe penguar rrjedhën e lumit, ua kanë mohuar qytetarëve ujin e pijes dhe ujitjes, të cilët kanë qenë të varur nga ky ujë, sidomos bujqit vendor; (iv) ndërtimet janë bërë kundër ligjit brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, (v) e drejta për shfrytëzim të ujit është dhënë pa koncesion, apo pa partneritet publiko– privat, ku edhe buxheti i Kosovës do të mund të përfitonte; (vi) lejet janë lëshuar pa u bërë kurrfarë studimi i prurjes së pranueshme ekologjike në vitin 2012, kurse ai i bërë në vitin 2020 nuk i përmbush kërkesat ligjore; (vii) raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis ka qenë i dobët dhe joreal, (viii) ndërtimet janë bërë buzë lumit në kundërshtim me ligjin, e të tjera”, thuhet në njoftim.

Sipas QRGjS-së, të gjitha këto, dhe shumë shkelje tjera përbëjnë bazë për anulimin e lejeve! Prandaj, aktgjykimi i Gjykatës Supreme i cili pezullon punën e hidrocentraleve në Deçan derisa të arrihet një vendim përfundimtar është fitore për të gjithë qytetarët e Kosovës!

GLPS dhe Pishtarët si palë të interesuara në këtë rast, u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbikëqyrin zbatimin e këtij vendimi, pra që të lajmërojnë Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike në rast se Hidrocentralet në Deçan vazhdojnë operimin pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, e për të cilin ne do të iniciojmë procedurat përkatëse ligjore. Së bashku duhet të kundërshtojmë rastet kur për përfitime financiare të personave privat dëmtohet interesi publik i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës!