Gjykimi për ‘Aferën e Hidrocentraleve’: Shtyhen seancat për hatër të fushatës së Mimoza Kusarit

Gjykimi për ‘Aferën e Hidrocentraleve’: Shtyhen seancat për hatër të fushatës së Mimoza Kusarit

Seancat të cilat janë paraparë të mbahen nesër e pasnesër në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, janë shtyrë më kërkesë të Mimoza Kusari-Lila.

Kandidatja për kryetare të Gjakovës nga radhët e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë kërkesë që të mos paraqitet nesër para turpit gjykues, ku ajo dhe të tjerët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Burime të Periskopit bëjnë të ditur se Kusari-Lila mos-pjesëmarrje në Gjykatë, e ka arsyetuar se nuk ka kohë për shkak të fushatës për zgjedhjet lokale, teksa kërkesa e saj është aprovuar nga gjykata.

Shtyrja e seancave, mund të nënkuptojë që gjykata po e favorizon Kusari-Lilën në këtë kohë të fushatës zgjedhore, duke mos iu përmendur aktakuza që ka për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërkohë, shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik, gjatë së cilës seancë të akuzuarit, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.

19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.

Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.

Po ashtu, dëm tjetër sipas PSRK-së është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, vlerë e cila nuk është regjistruar dhe prezantuar si vlerë e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së regjistruar në vitin 2003.

Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, seanca e fundit është mbajtur më 9 shtator, gjatë së cilës është dëgjuar dëshmitari Blerim Krasniqi.

 

 

Shpërndaje në: