Gjyqtarja 20-vjeçare në futbollin kosovar

Gjyqtarja 20-vjeçare në futbollin kosovar

Që në moshën 17 vjeçare kishte filluar të ndajë drejtësi në futbollin kosovar.

Mes paragjykimesh në stadiumet tona, pasioni, puna e palodhshme dhe dëshira, dolën në rend të parë për të.

Kjo e ka shtyrë Festina Koxhën, të mos ndalet dhe ta ndjek ëndrrën.

“Referimin e kam filluar që nga mosha 17-vjeçare. Në fillim kam referuar në ligat regjionale, ndërsa tash kam kaluar në Ligën e tretë”.

Fillimisht Festina nisi karrierën si futbolliste në klubin e femrave, Vizioni nga Ferizaj. Por me kalimin e kohës, ajo vendosi të ndjek hapat për tu bërë gjyqtare, pasi virtytin për të qenë e drejtë e pati edhe kur ishte futbolliste.

“Fillimisht kam qenë lojtare në futboll me një klub të Ferizajt, por më pas vazhdova me referim. Qysh kur kam filluar të luaj si futbolliste i kam përcjellë hapat e referit dhe nga aty më ka hyrë dëshira për referim”, tha ajo.

Tashmë 20 vjeçare, edhe pse e re në moshë, ajo tregon se sa e vështirë është të pranohet një femër në mesin e shumë meshkujve si gjyqtare.

“Vështirësitë janë mjaft të mëdha, por me punë dhe angazhim besoj se do të eci para”.

Me punë dhe përkushtim, Festina synon që shumë shpejt të ndajë drejtësi në Superligën e Kosovës dhe ndeshje ndërkombëtare.

Për fund, ka një mesazh për të gjitha vajzat që duan të ndjekin rrugën e saj. Festina Koxha është në mesin e 20 gjyqtareve femra në Kosovë që ndajnë drejtësi në futbollin kosovar.

“Sigurisht se qëllimet e mija janë të arrijë në Superligë dhe të ndajë drejtësi edhe në garat ndërkombëtare. Besoj se me punë dhe përkushtim do të arrijë qëllimet e mia. Unë ju bëjë thirrje vajzave që nëse e kanë dëshirë referimin le të vazhdojnë. Sigurisht se çdo gjë në fillim ka vështirësitë e veta”.

20 vjeçarja nga Ferizaj aktualisht referon në ligën e dytë dhe të tretë në kampionatin kosovar.

Shpërndaje në: