Goditet për vdekje këmbësorja në Prizren, policia kërkon ndihmë për ta identifikuar

Goditet për vdekje këmbësorja në Prizren, policia kërkon ndihmë për ta identifikuar

Policia e Kosovës po kërkon ndihmë nga qytetarët për të identifikuar viktimën që mbrëmjen e së dielës mbeti e vdekur nga një aksident trafiku që ndodhi në Prizren.

Këmbësorja ishte goditur nga një veturë derisa ishte duke e kaluar rrugën nga ana e djathë në të majtë në drejtimin e rrugës Vermicë-Prizren.

“Për shkak se këmbësorja (femër) nuk posedon asnjë dokument identifikimi dhe nuk kemi arritur ende ta identifikojmë viktimën, luten të gjithë ata që kanë njohuri për identitetin e saj të lajmërohen në njësinë e trafikut rajonal në Prizren”, ka bërë thirrje policia, duke publikuar edhe fotografinë e saj.

Pas aksidentit, viktima ishte dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit në repartin e emergjencës ku edhe është konstatuar vdekja nga mjekët.

Në vend të ngjarjes kanë dalë njësitet relevante, shefi i hetimeve të trafikut, prokurori i shtetit dhe eksperti i komunikacionit ku me urdhër te prokurorit i dyshuari, shoferi i veturës, ndalet në mbajtje për 48 orë.

Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për autopsi në IML në Prishtinë.

Policia njofton se me këtë rast janë duke u marrë hetuesit e njësisë rajonale të trafikut në Prizren.

Shpërndaje në: